Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi në një takim në Berat sot se është koha që t’ia marrim të gjitha pushtetet Edi Ramës dhe t‘ia kthejmë popullit.
Ai tha se Edi Rama si hajdut i jashtëzakonshëm që është i vodhi të gjithë pushtetet në Shqipëri, përmes investimit më të madh që bëri duke blerë ish-lidershipin e opozitës, i cili e futi në qorrsokak të plotë popullin opozitar.
Sipas tij, pushtetet do i kthehen popullit duke i dhënë mundësinë të ushtrojë referendumin, siç është në Kushtetutë dhe përmes referendumit populli do kontrollojë parlamentin, ligjet të bëhen në interes të tij, do kontrollojë qeverinë, drejtësinë dhe gjithçka që ka të bëjë me interesat e tij sovrane dhe jetike.
“Moment historik për vendin tonë, për kombin tonë, për rininë tonë dhe njëkohësisht për të ardhmen tonë. Ndaj dua të bëj të qartë nga Berati se kupa jo vetëm është mbushur, por është derdhur prej kohësh. Edi Rama si hajdut i jashtëzakonshëm që është i vodhi të gjithë pushtetet në Shqipëri, përmes investimit më të madh që bëri duke blerë ish-lidershipin e opozitës, i cili e futi në qorrsokak të plotë popullin opozitar, sipas marrëveshjes që ishte bërë Rama-Basha për të djegur mandatet, për t’i lënë pushtetin lokal Ramës dhe bashkë me mandatet për të djegur edhe drejtësinë. Natyrisht nuk e patën fatin të shkarkonin dhe ish-presidentin Meta, sepse përveç të tjerave, mbrojtjes së kushtetutës , unë vij dhe nga kjo zonë e bekuar, dhe nga një mal fatdhënës dhe fatthënës. Tani është koha që t’ia marrim të gjitha pushtetet Edi Ramës dhe t‘ia kthejmë popullit. As PL-së as PD-së dhe as ndonjë partie tjetër, por do ia kthejmë popullit duke i dhënë mundësinë të ushtrojë referendumin sa herë të duan, siç është në Kushtetutë dhe përmes referendumit populli do kontrollojë parlamentin, ligjet të bëhen në interes të tij, do kontrollojë qeverinë, drejtësinë dhe gjithçka që ka të bëjë me interesat e tij sovrane dhe jetike. Fuqia jonë nuk është te parlamenti sepse ky parlament nuk është legjitim, është pak më mirë se ‘parlamenti i kërpëratave’ sepse ka deputetë me integritet opozitarë”, deklaroi Meta.
Diskutime rreth kësaj post