Avokati Spartak Ngjela, me anë të një postimi në rrjetin e tij social ‘Facebook’, ka komentuar situatën e Kosovës me Serbinë. Sipas avokatit, kryeministrat shqiptarë nuk e kuptojnë se Kosova është një shtet i pavarur.
Ngjela kritikon edhe kryeministrin Edi Rama për miqësinë me presidentin serb Vuçiç, ku sipas tij po e mbron nga politika amerikane.
“Nuk e di se përse kryeministrat shqiptarë – në Prishtinë dhe në Tiranë – nuk e kuptojnë dot që Kosova është një shtet i pavarur, prandaj: çfarë po duan të bëjnë këta me njohjen që u dashka t’i bëjë Serbia Kosovës?!
E kuptoni tani që Serbia ka qenë në 2 shekuj rresht një pushtues territoresh shqiptare, i përkëdhelur nga evropianet, dhe e drejta shqiptare erdhi në histori për t’u njohur si fakt i vërtetë vetëm para 23 vitesh, dhe nga imponimi i forcës së politikës amerikane?
l.
Çfarë është në thelb kërkesa për njohjen e Kosovës nga Serbia?
Kërkesë absurde. Kosova është tani një shtet i pavarur dhe i lirë, kurse Serbinë Kosova e ka mundur në luftë.
E di kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që Serbinë Kosova e ka mundur me luftë çlirimtare dhe në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
E di kryeministri shqiptar që Serbia ka pas qenë pushtuesi shekullor i Kosovës?
Prandaj…
Forca e shqiptarëve tani është bashkimi i tyre. Të gjitha arsyet e tjera janë vetëm fjalë.
Dhe Kosova është shtet unik shqiptar dhe vetëm shqiptar. Kurse serbët bëjnë sikur po kanë “hallin” e serbëve në Kosovë. Asgjë, ata duan të fitojmë kohë se presin ndryshim të politikës amerikane për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.
Në fakt po presin petulla nga qielli.
ll.
Pakicat serbe në Kosovë janë pakica jo autoktone, por pjesë e popullimit të saj me të huaj kur Kosova ishte një territor i pushtuar dhe vijimisht përballë pastrimit etnik. Tani është e vërtetuar, si fakt i dokumentuar, aleanca që ka pasur Serbia me Portën e Lartë për të copëtuar Arbërinë dhe për të krijuar Serbinë, nga një principatë e vogël rreth Beogradit, në një shtet të madh, dhe e gjithë kjo, me anë të dëbimit të shqiptarëve autoktonë.
Po serbët, pakicë etnike janë në Kosovë?
Serbët e Kosovës nuk mund të quhen pakica etnike, por thjesht serbë të ardhur si pushtues me metodën e tyre kriminale sipas qëllimit që tani është i njohur si fakt historik: “shfaros shqiptarët dhe popullo Kosovën me kolonë serbe”.
Kjo është e vërteta e historisë. Se pakica etnike quhen si rregull pakicat autoktone, të ardhurit nuk mund të formojnë një etni
Atëherë?
Duhet të kemi parasysh se të gjitha shtetet që nuk kanë respektuar të vërtetat historike që i kanë pasur në favorin e tyre, janë dekompozuar deri në shpërbërjen e tyre. Edhe politika shqiptare duhet ta mbajnë shumë ngushtë parasysh këtë.
Atëherë, çështja është kjo: çfarë është politika pasive e kryeministrave shqiptarë në një kohë kur Kosova e ka fituar pavarësinë e vet me luftë në aleancë me NATO-n?!
Pikërisht për këtë, dhe për faktin historik që Kosova është një shtet i pavarur, të gjitha orvatjet për bisedime me pushtuesin e mundur në luftë, janë humbje kohe, por edhe një kompleks inferioriteti që duket se po ka Kryeministri i Shqipërisë.
Deri tani, historia, në fundin e luftës midis dy shteteve, njeh faktin e marrëveshjes së paqes që bën fituesi me të mundurin që e ka pasur pushtues.
E pra, ç’është ky tip kryeministri me seli në Tiranë që më i gëzuar është kur shkon në Beograd se sa kur shkon në Prishtinë!
Përse ta duan shqiptarët këtë kryeministër që nuk ka lidhje me shqiptarizmin?
Po politika amerikane pse po e toleron kryeministrin aktual të Shqipërisë, i cili nuk njeh historinë e Shqipërisë dhe nuk e di që shqiptarët, pas 200 vitesh luftë, në vitin 1999, kanë fituat luftën me Serbinë pushtuese territoresh shqiptare?
Po shqiptarët të mpirë janë që vijojnë të lënë kryeministër një person që e do Beogradin më shumë se Tiranën?
lll.
Por çfarë do të ndodhë me serbët që jetojnë në Kosovë?
Asgjë e veçante, sepse serbët, si të ardhur në Kosovë, duhet të kenë të gjithë të drejtat e emigrantëve.
Prandaj, është më se normale që, brenda shtetit të Kosovës, serbët e ardhur duhet të kenë të njëjtat të drejta me shqiptarët, po kurrë një status juridik si etni dhe njësi konstituente.
Historia nuk shkelet.
Koloniziatorët po të duan mund të ikin. Në Kosovë ka vetëm një njësi konstituente: shqiptarët që kanë Republikën e tyre të pavarur e cila quhet Republika e Kosovës.
Ajo që vihet re me këtë kryeministër është fakti që, sa herë presidenti i Serbisë kërcënohet nga politika amerikane, Rama shkon në Beograd dhe shfaqet si mik i ngushtë i presidentit serb Vuçiç.
Ndërsa dihet që Vuçiç është një antishqiptar që ka marrë pjesë direkt dhe personalisht në krimet kundër shqiptarëve me qeverinë Milosheviç, ku ka qenë ministër ekstremist i informacionit. (!)”- shkruan avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post