Politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet të japin llogari para ligjit dhe të përballen me pasoja. Ky është qëndrimi i ambasadorit britanik në Tiranë, Alaistair King-Smith duke komentuar listën e zezë që po aplikon qeveria britanike për politikanët e korruptuar shqiptare përfshirë dhe Sali Berishën.
Në një intervistë dhënë për Report Tv, ambasadori King-Smith shtoi se krahas ndalimit për të hyrë ne Britani ata nuk do të lejohej që të ruajnë paratë e tyre.
“Pra, është vërtet e rëndësishme që secili nga ne, në botën mbarë, të bëjë gjithçka mundet. Dhënia fund pandëshkueshmërisë dhe forcimi i llogaridhënies nuk janë nevoja ekskluzive të Shqipërisë. Kjo mund të arrihet vetëm duke punuar së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin me vepra. Pra, gjëja e parë është që në Shqipëri duhet të jepet llogari. Është shumë e rëndësishme që ligji të sundojë. Institucionet që luftojnë krimin dhe korrupsionin janë të rëndësishme dhe duhet të jenë efektive.
Ne duhet t’i mbështesim ato. Por ne ndërmarrim veprime edhe nga ana jonë në mënyrë që dikush që është i përfshirë në krim dhe korrupsion dhe që dënohet këtu, në mënyrë të veçante në raste të tilla, ata nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe as të ruajnë paratë në Mbretërinë e Bashkuar. Në raste të tilla do të ndërmarrim veprime të pavarura. Tani siç e dini, Sër Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i kryeministrit tonë për Ballkanin Perëndimor, shpalli valën e parë të veprimeve që kemi ndërmarrë. Do të vazhdojmë kështu sepse është vërtet e rëndësishme. Kjo është diçka që duhet të kthehet në rutinë, në mënyrë që njerëzit që kryejnë veprime të paligjshme dhe që nxisin krimin dhe korrupsionin të përballen me pasoja. Është e vështirë, apo jo?
Sepse, ju e dini, se neve nuk na pëlqen të ndërpresim kontaktet me askënd, por ka një kufi. Nëse dikush ngulmon dhe përsërit veprimet e tij që nxisin krimin dhe korrupsionin, atëherë kemi të bëjmë me një problem të vërtetë, sepse kjo futet në sistem, duke vështirësuar ndërveprimin e mëtejshëm. Ne ndjekim një qasje të ekuilibruar. Nuk shënjestrojmë asnjë individ, asnjë parti politike. Gjithmonë do të kemi një qasje të ekuilibruar. Kjo bazohet në interesat e popullit britanik dhe ne shpresojmë edhe në interesat e popullit shqiptar. Kështu që do të bëjmë çmos për ta ruajtur këtë qasje ndaj problemeve, çka është realisht në interes të popullit të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Do desha të them edhe një gjë tjetër në lidhje me zgjedhjet që po afrojnë. Vitin tjetër kemi zgjedhjet lokale dhe më vonë zgjedhjet e përgjithshme. Njerëzit mund të bëjnë një gjë vërtet të rëndësishme. Politikanët mund të bëjnë të njëjtën gjë të rëndësishme. Njerëzit duhet të kërkojnë që t’i jepet fund krimit dhe korrupsionit. Duhet të kërkojnë që kandidatët e paraqitur në zgjedhje të mos kenë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin. Ndërsa partitë politike, sigurisht duhet të marrin masa, dhe kjo është edhe thirrja që ne u drejtojmë atyre, që kur të përzgjedhin kandidatët, të mos kandidojnë ata që janë të përshirë në krim dhe korrupsion, por t’i paraqesin elektoratit individë të pastër”, tha ai.
Ambasadori ngriti shqetesimin edhe për emigracionin e paligjshëm duke u bërë thirrje të rinjve shqiptarë të mos bien pre e trafikantëve pasi nuk do të pranohen në Britaninë e Madhe.
“Më vjen shumë keq për këtë, sepse të rinjtë po shfrytëzohen nga persona të lidhur me krimin, të cilët përmes këtyre videove në TikTok u thonë ejani në MB, kushton jo shumë, vetëm disa mijëra paund, dhe mbërritja është e sigurt, por realiteti është se shumica e tyre do të ndalohen dhe do të kthehen në Shqipëri. Jo vetëm që do të kenë shpërdoruar paratë, por më pas nuk do të mund të shkojnë më në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo do t’u shkaktojë probleme me udhëtimet jashtë vendit në të ardhmen. Dhe sigurisht, ne duam që njerëzit të parapëlqejnë dhe të kenë mundësi të qëndrojnë në Shqipëri, si dhe për të qenë të suksesshëm duke studiuar dhe punuar këtu.
Por edhe për të ndërtuar një jetë të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar apo gjetkë. Pra, unë jam vërtet i vendosur ta ndryshoj këtë gjë. Ne po punojmë shumë fort për këtë, por thirrja ime për të rinjtë është të mos mashtrohen nga kontrabandistët dhe trafikantët që e paraqesin gjithçka si të shkëlqyer dhe të lehtë, sikur shumë shpejt ju do të jeni në gjendje të vini këtu me Ferrari. Nuk është kështu. Nëse mbërrini në MB, e vetmja mënyrë për të shlyer paratë e marra borxh për udhëtimin mbetet droga dhe krimi, kështu që mos harroni çfarë do të thotë kjo për të ardhmen tuaj dhe për familjet tuaja. Prandaj, mesazhi im është ju lutem mos e bëni këtë”, u shpreh ai.
I pyetur rreth incidentit me rusët e kapur në uzinën e armëve në Gramsh ambasadori britanik nuk komentoi konkretisht rastin, por shtoi se Rusia e sheh Shqipërinë dhe Britaninë si armiq dhe se duhet të jemi të përgatitur për incidente edhe më të rënda.
Ambasada britanike në Tiranë po organizon nga 1 shtatori javën kultore me aktivitet të shumta përfshirë këtu dhe koncerin e këngetares së njohur Rita Ora që do të mbahet ne 6 shtator./m.j
Diskutime rreth kësaj post