Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta kanë reaguar pas marrëveëshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentat.
Berisha e ka konsideruar një hap në drejtimin e duhur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mbi dokumentet për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Ai e quan këtë marrëveshje një hap të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ndërsa uron që Kosova dhe Serbia të zgjidhin edhe problemet e tjera të mëdha midis tyre.
“Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!
Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumenteve të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Partia Demokratike ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe te Sekretarit te Pergjitheshem te Nato-s Stoltenberg përshendet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve.
Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE”, shkruan Berisha.
Ndërsa Meta shprehet se ky është një lajm i mirëpritur dhe pozitiv.
“I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe’”, shkruan Meta në FB.
Sipas ish-Presidentit, “Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve”, shkruan kreu i Partisë së Lirisë.
Diskutime rreth kësaj post