Kryeministri Edi Rama ka komentuar çështjen e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë Forumit Europian Alpbach, i cili po zhvillohet në qytetin Alpbach të Austrisë, kryeministri Edi Rama iu bashkua diskutimeve në panel mbi temën, e cili u ndal në disa çështje sikurse, agresioni rus mbi Ukrainë, si një thirrje zgjimi për BE, me fokus në qëndrueshmërinë që do të ketë ky zgjim gjeopolitik, si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në planin afatgjatë. I pyetur nëse ka një stimul të ri për ta çuar përpara anëtarësimin, Rama solli në vëmendje përplasjet historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.“Shihni çfarë ndodh me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk doja t’i kthehesha kësaj gjëje sepse mendova që ka përfunduar, por le t’i kthehemi për hir të diskutimit. Një vend i NATO-s, Bullgaria, në mes të një lufte, që merr peng dy vende të tjera të NATO-s.
Për çfarë? Për disa çështje historike dhe Bashkimi Europian shndërrohet në një katedër e pafuqishme shtetesh përballë një shteti që ka disa pretendime historike. Nuk kam kurrfarë gjëje ndaj pretendimeve historike, por kur këto çështje historike pretendohen nga politikanët, nuk ka shanse për të zgjidhur të vjetrën, por ka shanse për të krijuar probleme të reja historike. Si mund të jetë Bashkimi Europian një vend ku t’i sjell çështjet historike mes njëri-tjetrit? Imagjinoni nëse Sllovakia, Republika Çeke apo Austria apo Gjermania apo anëtarët këtu, të fillonin të mendonin në këto terma?”, vijoi Rama. Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave të Kosovës. Bashkimi Europian e ndihmoi Kosovën të çlirohej nga një regjim barbar, por gjatë këtij regjimi ata lëviznin lirisht në Europë, ndërsa tani janë “peng i çliruesit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në forum.“Kosova u çlirua me ndihmë nga një regjim barbar. Me regjimin barbar ata lëviznin lirisht. Me çlirimtarët janë peng. Gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë mund të udhëtonin në Europë, edhe të punonin, fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën”, u shpreh Rama.
Rama: Lufta në Ukrainë po sfidon themelet e shoqërive tona
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në këtë forum, Rama u shpreh se lufta në Ukrainë po sfidon vetë themelet e shoqërive tona në anën perëndimore.“Mendoj se çështja e vërtetë nuk ka të bëjë me se sa të zgjon lufta, se bombat të zgjojnë zakonisht, nuk mund të flesh, por se sa rezistent mund të jetë perëndimi duke e ditur se kufiri i dhimbjes ruse është shumë më lartë dhe duke e ditur se t’i heqësh nga tryeza shampanjën dikujt që është mësuar të pijë shampanjë duket më e dhimbshme sesa t’i marrësh nga tryeza bukë dikujt që është mësuar të mos hajë shumë bukë”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se solidariteti i fortë i muajve më parë duket sikur është më pak entuziast, pasi jeta e përditshme nuk është e lehtë.“Kjo do të sfidojë jo vetëm BE-në dhe Europën, por vetë themelet. Nëse do të shtoja një pikë këtu, ajo është se nuk e shoh Europën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Në rregull, më shumë solidaritet, më shumë ndjesi përbashkësie, më shumë takime, por Europa është e mirë për të bërë më shumë takime, nuk ka problem aty. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket se po ndryshon në asnjë lloj mënyre”, tha Rama.
Rama vlerëson Erdoganin
Gjithashtu, Rama deklaroi se pa Presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat anti-COVID. “Kemi një pandemi dhe gjithkush po kërkon vaksina. Jemi në mes të Europës, me shumë lidhje, me të gjithë televizionet gjithkund, çdo familje që ka njerëz në Itali, në Greqi, Gjermani e të tjera, këta njerëz mblidhen në Bruksel, shpërndajnë vaksina. Pa Presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post