Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodimir Shkurov dhe konsullin e Shqipërisë në Ukrainë, Bledi Bajraktari, festuan festën e flamurit të Ukrainës në një nga mjediset ku janë strehuar një pjesë e refugjatëve, kryesisht nëna me fëmijë, për shkak të luftës në vendin e tyre.
Veliaj shpërndau dhurata dhe mjete shkollore për fëmijët ukrainas dhe theksoi se Tirana do ndihmojë në rindërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve pas luftës. Ai tha se lufta mund të shkatërrojë shumë gjëra, por jo dijen.
“Sapo jam kthyer nga Kievi dhe u ndjeva shumë i lumtur që jeta atje ka rifilluar; kanë nisur programet e qeverisë për rindërtimin, për t’u kthyer sa më shpejt në normalitet, deri në fitoren e luftës. Pas takimit me Presidentin Zelenski jam shumë i lumtur që qeveria jonë dhe Bashkia e Tiranës, do të përfshihen në procesin e rindërtimit të Ukrainës, duke i ndarë detyrat në qytete të ndryshme, ku fokusi ynë do të jetë kryesisht te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Ajo që ramë dakord me Presidentin e Ukrainës është se lufta (apo fatkeqësitë e ndryshme) mund të shkatërrojë pronën, një lagje, pasurinë, mund të prishë pallate, kopshte, shkolla, çerdhe, por ka diçka që lufta nuk e prish dot: dijen dhe njohuritë që kemi”, u shpreh Veliaj.
Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e dhënë për refugjatët ukrainas.
“E falenderoj kryetarin e Bashkisë sepse ai është një mik i Ukrainës. Falë tij, edhe rruga ku kemi ndërtesën e Ambasadës, mban emrin rruga “Ukraina e Lirë”. Vendi do rindërtohet me ndihmën e miqve tanë, ndaj do doja të uroja të gjitha nënat, që janë sot këtu, që të kenë mundësi të bashkohen sa më shpejt me të afërmit e tyre”, tha Ambasadori i Ukrainës.
Diskutime rreth kësaj post