Një tjetër reagim i ashpër ka ardhur nga radhët e Partisë Demokratike lidhur me vendimin e Bordit të Transparencës për të rritur çmimin e naftës në vend me 12 lekë dhe të benzinës me 4 lekë, në një kohë që çmimi për fuçi në bursën ndërkombëtare është në rënie të vazhdueshme.
Kështu, deputeti Dashnor Sula, i cili kërkoi nga Bordi që kryente një ulje të naftës në vlerën 220 lekë/litër ose nën të, gjatë javës së shkuar, akuzon këtë organ dhe qeverinë se veprojnë me dy fytyra vetëm për të vjedhur shqiptarët.
Sula nënvizon se edhe Ministria e Financave ka dalë në krah të oligarkëve, duke akuzuar ekspertët dhe ekonomistët e fushës kur konstatojnë se çmimi që vendos Bordi është një vjedhje e pastër në kurriz të qytetarëve.
Postimi i Dashnor Sulës:
“Qeveria me dy fytyra që vjedh shqiptarët! Në dy javët e kaluara çmimi i karburantit në tregun ndërkombëtar, në bursë shënoi një rënie të theksuar duke shkuar në nivelet e para luftës në Ukrainë. Por bordi i vjedhjes së shqiptarëve nuk e çoi për asnjë ditë çmimin e naftës me pakicë nën 2200 lekë të vjetër për litër naftë. Nuk mblidheshin por edhe kur mblidheshin bënin ulje qesharake me 10 lek të vjetër.
Ndërkohë ministrja e Financave në mënyrë të vazhdueshme i ka dalë në mbrojtje interesit të oligarkëve dhe akuzonte ekonomistët, ekspertët e hidrokarbureve, neve përfaqësuesve të popullit se ngatërronim çmimin në bursë të naftës së përpunuar me atë të papërpunuar. Të gjithë ekspertët, ekonomistët, politikanët e tjerë që kërkonin uljen e çmimit të naftës si reflektim i bursës, ishin injorantë vetëm qeveria ishte “gjeniu” që bënte përllogaritje të sakta.
Por përkundër argumentit të ministres del sërish Bordi i vjedhjes së qytetarëve. Dy ditët e fundit i njëjti burim që të cilit i jemi referuar kur është ulur çmimi në bursë, ka treguar një rritje të lehtë të çmimit. Por këtë herë Bordi nuk bëri sikur nuk e pa, por u mblodh sot dhe nuk bëri rritje njësoj siç e ulte me 10 lek të vjetër, por e rriti me 120 lekë të vjetër. Çmimi i naftës sot në pikat me pakicë shitet me 2390 lekë të vjetër për litër nga 2270 lekë për litër që shitej pak ditë më parë.
Kjo është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve. Është absurditet që do tu kthehet në bumerang të pangopurve të qeverisë dhe oligarkëve. Duke rritur çmimin, qeveria mbush arkat e shtetit për të mbyllur gropat evazive, njëkohësisht fitojnë edhe oligarkët e naftës me përqindjen e marzhit të fitimit. Të vetmit që humbasin janë shqiptarët. Qytetarët e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit. Ndaj ne shohim çdo ditë e më shumë shqiptar që largohen nga ky vend. Në fakt nuk duhet të ikin shqiptarët, duhet të largohen dhe të vendosen para drejtësisë ata që vjedhin dhe që abuzojnë.”-shkruan Sula.
Diskutime rreth kësaj post