Kreu i PD-së Sali Berisha vuri theksin te bashkëpunimi dhe shtrirja e dorës sot gjatë bashkëbisedimit me banorët në Sllovë të Dibrës.
Ai tha se PD ka zgjidhje dhe se beteja e madhe është përpara për t’i thënë Edi Ramës ‘boll më’ dhe kjo arrihet me protesta të fuqishme.
“Ne nuk jemi mbledhur dhe nuk mblidhemi për të vajtuar, jo. Sepse në qoftë se rendisim dhe listojmë problemet, kauzat, ne të gjitha këto i bëjmë me një qëllim të vetëm që t’u japim zgjidhje. Po t’i marrim gjithçka thamë, mund të jenë të paktë banorët e Dibrës apo shqiptarë që nuk i dinë. Ajo çka ne kemi mision është zgjidhja. Të gjitha këto absolutisht kanë ardhur pa diskutim nga botëkuptimi i Edi Ramës, i cili i lejon vetes me kënaqësi të vendosë monizmin, të marrë të gjitha pushtetet. Po ju jap një shembull: në vitin 2007, 80% e pushtetit ishte i PS-së dhe ata i lëshonin certifikatat e gjendjes civile, certifikatat i prodhonin me një kompani me të njëjtat shenja sigurie sa monedhën. Nuk do hymë në zgjedhje thanë se nuk ishte i sigurt në rezultatin, i shtymë zgjedhjet 5 muaj, isha i vendosur t’i shtyja dhe një vit, por një pushtet monist lokal nuk e pranoja. Madje më çonin fjalë nga Brukseli, i thoni Berishës të mos pyesë për të, të bëjë zgjedhjet. Të bëjë zgjedhjet po, por monizmi na ngelej ne.
Ne ishim partia që nuk ishim për monizmin. U shtynë zgjedhjet 5 muaj dhe u bënë zgjedhje pluraliste. Në këto zgjedhje lokale që i bojkotoi opozita, Ilir Meta i dha mundësinë, e çdekretoi datën, dekretoi datën tjetër, po e çoi në Gjykatë Kushtetuese për ta shkarkuar se donte të merrte me çdo kusht të gjithë pushtetin lokal. Të njëjtën gjë bëri me Presidentin. Ky ka një botëkuptim, një trashëgimi të tillë. Në fakt nuk ka nxjerrë vetëm Skavicën nga sirtari, por ka nxjerrë mendësinë e trashëguar nga sirtari. Por kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes ishte opozita dhe opozita nuk arriti të përmbushë misionin e saj. Çfarë arritëm ne në këtë vit, jemi në kamp, jemi të vërtetë. Vendimet i marrim në përputhje të plotë me interesat tona publike dhe kombëtare. Sot Shqipëria ka një opozitë të vërtetë. Ne arritëm të bashkohemi me grupet, organizatat, individët e kauzave. U vendos një perde mos ta politizojmë. Vritej tjetri në derë të shtëpisë, e vriste policia në derë të shtëpisë dhe nuk dilte opozita se e politizojmë. Mori fund kjo. Po qe kauzë e drejtë ne do ta mbështesim me gjithë potencialin tonë”, tha Berisha.
Ai deklaroi më tej se tani ka një rëndësi të jashtëzakonshme të ulemi në dialog, të dalim nga plogështia, të dalim nga apatia.
“Ne jemi për zgjidhjet, ku do shkojmë. Do shtrihemi përsëri me të gjitha faktorët. Unë mirëpres me padurim një bashkëpunim me sindikatat. Ne duhet të shtrijmë dorën dhe duhet të gjejmë format e bashkëpunimit, me çdo individ, grup interesi që ka një kauzë të drejtë. Sot Shqipëria është një univers i kauzave të poshtëruara, i rrënimit të ligjit, i një makinerie të krijuar vetëm për të grabitur dhe plaçkitur qytetarët.
Pra, kemi arritur këto, por betejën e madhe e kemi përpara dhe beteja e madhe përpara është t’ia presim, boll volle, ik t’i themi Edi Ramës dhe ajo bëhet me protesta të fuqishme. Pushteti i tij është i paligjshëm. Pushteti i tij ka ardhur nga droga, krimi, patronazhistët nga shteti elektoral njëlloj si diktaturë.Ishte fatale që opozita jo pse i humbi zgjedhjet, por që të nesërmen nuk doli në shesh për t’i treguar vendin atij. Ajo fitore duhet t’i dalë prej hundësh atij. Ne jemi të drejtë, mbrojmë kauza të drejta, por nuk mund të shkelmohemi në këtë mënyrë. Tani ka një rëndësi të jashtëzakonshme të ulemi në dialog. Të dalim nga plogështia, të dalim nga apatia, të heqim dorë nga ajo ç’më duhet mua. Një shumicë e madhe njerëzish, të ndershëm, patriotë por që kanë rënë në një apati. Kjo periudhë, duhet të bëjmë gjithçka.
Dibra është e shtrenjtë për të gjithë. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka, të gjejmë gjuhën me ta, t’i tërheqim në kauzën tonë mbarë qytetarët. Ne kemi zgjidhje dhe zgjidhje të shkëlqyera.Në vitin 2005-2013 borxhin e kemi rritur gjithsej 4.4 %. E morëm me 58.2, e dorëzuam me 62.6. Me këto pare ne ndërtuam dhe rindërtuam 11 mijë km rrugë. Dyfishuam rrogat dhe pensionet dhe dolëm në krye të vendeve të rajonit për rroga dhe pensione. I hoqëm gjeneratorët dhe terrin që zhytej vendi nga energjia. 1300 shkolla dhe objekte arsimore, interneti në çdo shkollë. Të gjitha këto me rritje të borxhit 4.4%. Sa e ka rritur borxhin ky, nga 62.6% e ka çuar 107% sot. Çfarë ka bërë me këto? Çfarë ka ndërtuar? Rrogat mund t’i trefishonte po të donte. Kanë vjedhur dhe vetëm kanë vjedhur. Si mund të kushtojë rruga nga Iba në Farkë 30 mln euro, në një kohë kur tuneli në Kalimash me të gjitha vështirësitë që pati kushtoi 18 mln euro kilometri për të mos thënë i Kërrabës 14 mln euro. Rruga në fushë na kushton dyfishin e tunelit në mal”, tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post