Pas 12 vitesh Greqia çlirohet nga monitorimi i BE pasi financat në vend janë stabilizuar. Shteti fqinj ka dalë nga e ashtuquajtura kornizë “e mbikëqyrjes së shtuar” të Bashkimit Europian që do të thotë se gjatë gjithë kësaj kohe zhvillimet dhe politikat ekonomike të vendit janë monitoruar nga blloku, përmes kësaj kornize, që nga viti 2018, pasi Athina doli nga tri paketat ndërkombëtare të shpëtimit.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis dha mesazhin e tij për këtë ditë historike siç ai e quajti ai për vendin dhe qytetarët.
“20 gushti 2022 është një ditë historike për Greqinë dhe për të gjithë grekët. Vendi ynë po del nga korniza e mbikëqyrjes së shtuar të BE-së.Vendi tani mund të shikojë përpara drejt një horizonti të ri dhe të pastër.”-u shpreh ai.
Ai tha se një numër “plagësh” që ishin hapur në shoqëri gjatë 12 viteve të mbikëqyrjes tani i përkasin të kaluarës.
“Zhvillimi i sotëm shënon fundin e Memorandumeve dhe gjithë asaj që u imponua në emër të tyre: taksa të paqëndrueshme dhe shkurtime të pagave dhe pensioneve. Kontrollet bankare dhe hipotekimi i pronës publike. Degradimi i mbrojtjes kombëtare, arsimit publik dhe shëndetësisë. Por edhe margjinalizim i pozicionit të Greqisë në Evropë dhe në botë. E gjithë kjo, për fat të mirë, i përket së shkuarës”.-tha ai.
Mitsotakis nuk ngurroi edhe të thumbonte kundërshtarët e tij politikë.
“Katër vjet demagogji pasuan, e cila i kushtoi kombit tonë 100 miliardë euro dhe e shtyu vendin drejt greminës. U deshën beteja të vështira kundër populizmit për ta mbajtur vendin në një trajektore evropiane.”-tha kryeministri grek.
Më herët Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr buxhetet e 27 vendeve anëtare të BE-së, tha të mërkurën se do të përfundonte programin e tij të “mbikëqyrjes së shtuar ” më 20 gusht, duke vënë në dukje se Greqia ka përmbushur pjesën më të madhe të angazhimeve politike të bëra ndaj partnerëve të saj të eurozonës.
Greqia do të mund të ushtrojë lirisht politikën e saj ekonomike, me prioritete të përcaktuara nga qeveria dhe jo nga Brukseli, ndërsa do t’i nënshtrohet të njëjtave rregulla kontrolli që i nënshtrohet edhe pjesa tjetër e Evropës.
Diskutime rreth kësaj post