Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar ditën e sotme në një emision televiziv pretendimet e qeverisë për bashkëpunimin e ish-Presidentit Ilir Meta, me Sigurimin e Shtetit.
Deputeti demokrat tha se nuk beson se ekziston një dosje e tillë, ndërsa shtoi se kreu i PL duhet të vërtetojë anën e tij të historisë pasi i ka resurset për të bërë diçka të tillë.
Gjekmarkaj shtoi se Meta duhet të vendosë me shpatulla pas murit qeverinë që të mos akuzohet më asnjë politikan me metoda të tilla, nëse ato janë të pavërteta.
“Në shtator presim një luftë të ndezur politike sepse as vera nuk ishte paqësore. Ngjarja kryesore ishte akuzat ndaj ish-presidentit Ilir Meta për një dosje dhe Sigurimin, ngjarje që meriton analizë.
Tre skenarë janë të mundshëm: Nuk ekziston një dosje, që prirem ta besoj sepse jemi në ambientin e shantazheve që edhe një burrë e bëjnë shtatzënë, e dyta është që dosja është manipuluar dhe e treta, është një dosje ku mund të ketë ose jo një bashkëpunim me Sigurimin.
Meta duhet të vërë me shpatulla për muri qeverinë që mos të akuzohet më një politikan. Meta i ka resurset që dosja nuk ekziston apo është e manipuluar. Në shtator mazhoranca sjell në skenë ligjin për bashkëpunëtor. Nuk ka deputet që do ti lejonte vetes të votonte kundër një ligji të tillë, çështja është çdo të kërkojë opozita, që fatura të paguhet jo vetëm nga bashkëpunëtorët por edhe punonjësit e Sigurimit.
Nuk e përjashtoj mundësinë që e gjitha të jetë e krijuar për të ulur vrullin e Metës pas mbarimit të mandatit të presidentit, sepse nëse do të ishte me një qasje tjetër ndaj qeverisë kjo mund të mbahej në sirtar ose nuk do të krijohej nëse nuk ishte.
Meta është një lojtar i vjetër politik me ndjekësit e tij që di të bëjë politikën e tij dhe është shfaqur shumë agresiv.
I duhet që jo me deklarata politike, por të gjejë një mënyrë që t’ia lejë në derë qeverisë një gjë të tillë. E vërteta është si një rreze dielli që tejkalon xhamin pa e thyer. Duhet të vërtetohet që kjo dosje nuk ekziston apo është manipuluar”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post