Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja, në një konferencë nga selia blu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk u ka dhënë protestuesve që kërkuan drejtësi për 7-vjeçaren që humbi jetën në ngjarjen e rëndë në Himarë, por se në vend të Bledi Çuçit, ka larguar nga detyra zv. ministren e Turizmit e Mjedisit Ornela ÇUÇI.
“Edi Rama, nga tepsia e byrek-pushtetit, u ofroi sot shqiptarëve kokën e Çuçit të gabuar.
Në vend të Bledi Çuçit, ai u dha protestave qytetare, që kërkojnë largimin e ministrit të Brendshëm, kokën e Ornela Çuçit, zëvendës ministre e Turizmit.
Zoti Rama i reklamon gratë e qeverisë së tij, thotë se i ka me shumicë dhe me kimet, se vetëm ato bëjnë punë, ndërsa burrat lozin nën hijen e inceneratorëve, por kur vjen puna te pushteti e ndan, me ‘tigrat’.
Këtë ka bërë me zëvendës ministren e Turizmit, e përdorur si kokë turku për tragjedinë e Himarës ku mbeti e vrarë 7 vjeçarja, Jonada Avdia.
Ky është feminicid politik, menduar si valvul shkarkimi, dhe aspak ndjesë dhe marrje përgjegjësish për faktin se një zyrtar i Policisë, në shkelje të kodeve të ligjit dhe të etikës civile, i mori jetën dritës së syve të një familjeje, që kishte ardhur nga Britania për pushime në atdhe.
Por, kështu do t’i shkojnë punët Shqipërisë sonë, kur ministrat dhe zëvendësat nuk janë gjë më shumë se sa kone në prehrin e të plotëfuqishmit. Ashtu si Çuçi, konja e famshme e Lasgush Poradecit përdorej prej poetit për shëtitje, ashtu ministrat tanë janë, jo zyrtarë të shtetit, por trille në sirtarin e tekave të kryeministrit.
Ne e dënojmë si të papranueshme përpjekjen për të shitur largimin e një zëvendës ministreje si reagim ndaj protestave qytetare, dhe si ndjesë për vrasjen e Jonadës.
Edi Rama, ky kumbar mbrapshtish, duhet të dorëzojë nga sinia e pushtetit kokën e Bledi Çuçit dhe Kumbaros.
Qytetarët nuk kanë kërkuar dorëheqjen e një mbiemri, por të një funksioni dhe përgjegjësi.
I bëjmë thirrje protestuesve të mos e pranojnë këtë tallje qeveritare, dhe ta shohin vrasjen e Jonadës, ashtu siç kryeministri e konsideron nëpërmjet akteve të tij: një flijim në bregdetin e Shqipërisë para se çarteri i tij të niset drejt pushimeve në rezortet e Turqisë”, deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post