Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk i merr parasysh kërkesat dhe sugjerimet e PD për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve sepse “vesi” i tij tha se është “vjedhja”.
Berisha paralajmëroi për protesta të tjera ku tha se “qytetarët shqiptarë me revoltën e tyre të ardhshme do të vendosin për këto kërkesa”.
“Unë jam i vetëdijshëm se Edi Rama me arrogancën e tij dhe vesin e tmerrshëm të vjedhjes dhe pasurimit duke vjedhur fondet dhe pasuritë publike nuk merr dhe nuk do marrë parasysh këto kërkesa, por unë e garantoj se qytetarët shqiptarë me revoltën e tyre të ardhshme do të vendosin për këto kërkesa dhe kërkesa të tjera të programit të emergjencës të PD, si është indeksimi i cmimeve dhe masa të tjera shumë të rëndësishme”, u shpreh Berisha.
Berisha kërkoi gjithashtu të subvencionohen urgjent biletat e transportit urban dhe interurban.
“Në këto rrethana emergjente, PD kërkon vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban në territorin e Shqipërisë.
Ky propozim i PD nuk është i pabazuar, por i bazuar te një seri vendesh evropiane.
Ju kujtoj këtu se në Gjermani, me një biletë mujore prej 9 eurosh, lëviz në mbarë vendin”, u shpreh Berisha në një deklaratë për mediat.
Diskutime rreth kësaj post