Sulmuesi kthehet tek klubi bavarez për t’u përshëndetur me shokët, por kujton se ka bërë veprimin e duhur duke zgjedhur Barcelonën.
Merkato për Barcelonën ka qenë mjaft aktive këtë sezon, pasi jo vetëm janë larguar disa lojtarë të formacionit, por kanë ardhur edhe të tjerë cilësorë që e bëjnë skuadrën të ketë interesimin e duhur për sezonin e ri. Në fakt, ardhja e Robert Levandovskit ka rikthyer entuziazmin në kampin blaugrana dhe lojtari polak mund të përtërijë ambiciet e klubit për t’u kthyer fuqishëm në garën për titull në Spanjë si dhe për trofeun e Champions League në Europë.
Ndërkohë, mediat na informojnë se Robert Levandovski ka përfituar nga ditët e pushimit që Ksavi i ka dhënë skuadrës pas turneut në Shtetet e Bashkuara për të udhëtuar drejt Mynihut dhe për të bërë marrëveshje të ndryshme, personale dhe profesionale. Sulmuesi polak kishte dëshirë t’u thoshte lamtumirë punonjësve dhe drejtuesve të Bajernit, klub ku ka luajtur gjatë tetë viteve të fundit dhe ku ka ngritur 23 trofe, si skuadër dhe si individ. Sulmuesi polak, i cili do të prezantohet zyrtarisht të premten si lojtar i ri i Barçës, bëri presion për të luajtur në “Camp Nou”, edhe pse kishte edhe një në kontratën me Bajernin. “ishte e trishtueshme. Do të jem gjithmonë mirënjohës për atë që kam fituar dhe përjetuar këtu. I kam falënderuar të gjithë për atë që kanë bërë për mua dhe u kam dhënë dhurata. Ishte një moment emocional dhe i vështirë për mua. Tani mund të shkoj me një ndërgjegje të pastër”, – komentoi Levandovski nga ambientet e Bajernit në “Sky Sports”.
Lidhur me takimin me drejtorin sportiv të Bajernit, Hasan Salihamidziç, me të cilin ka pasur përplasje të forta për shkak të dëshirës për t’u larguar, Levandovski ka komentuar: “I kam takuar të gjithë dhe i kam falënderuar për gjithçka. Këto të fundit kanë qenë javë të vështira për të gjithë, por nuk do ta harroj kurrë atë që kam pasur këtu dhe falënderoj tifozët për mbështetjen e tyre”.
Teksa po largohej nga vendi i takimit dhe pasi foli me gazetarët, sulmuesi polak u ngacmua nga disa tifozë të pranishëm me thirrjet “Hala Madrid” dhe “Benzema”. Levandovski ka nënshkruar me Barcelonën për katër sezonet e ardhshme dhe do të ketë një klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh. Skuadra katalanase e mbylli operacionin me Bajernin për 45 milionë euro plus pesë që do të vijnë në forma të tjera.
Theksojmë se kalimi i Levandovskit tek Barcelona është një goditje e fortë e klubit katalanas në merkato, sidomos pas shokut që pasoi një vit më parë kur iku Leo Mesi. Ky i fundit është pjesë e Paris San Zhermen dhe është shprehur se do ta respektojë kontratën, që do të thotë edhe një vit është në kryeqytetin francez.
Diskutime rreth kësaj post