Robert Lewandowski, ai që konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë në botë, është në qendër të projektit të ri të Barcelonës. Por, sulmuesi polak nuk shkëlqen vetëm në fushë, por edhe në botën e biznesit.
Sipas revistës “Forbes”, të ardhurat e Lewas i kalojnë 30 milionë eurot në vit, falë kontratës së tij dhe një sërë marrëveshjesh sponsorizimi. Vetëm futbollistët e kalibrit të Cristiano, Messi dhe Neymar kanë fituar më shumë para në vitin 2021 se ish-sulmuesi i Bayern Munchen.
Në Mynih, polaku fitonte rreth 20 milionë euro nga kontrata si futbollist. Domethënë, 13 milionë të tjera (33 milionë në total, sipas “Forbes”) vijnë nga marrëveshjet e tij me firma dhe kompani si Nike, Huawei dhe Procter & Gambl.
RL9 është marka e sulmuesit dhe më e rëndësishmja, ai e përdor edhe në rrjetet e tij sociale. Në fakt, thuhet se klubi katalanas do t’ia japë polakut numrin 9, që aktualisht e ka Memphis Depay. Shumë e rëndësishme në projektet në biznes është bashkëshortja e tij, Anna Lewandowska. “Foods by Ann” është biznesi i ushqimit dhe fitnesit i udhëhequr nga partnerja e futbollistit. E njëjta gjë vlen edhe për markën e veshjeve 4F, në të cilën Lewandowska luan një rol të madh.
Përveç kësaj, futbollisti i Barcelonës lançoi Stor9, gjithashtu me bashkëpunimin e gruas së tij. Është një agjenci marketingu, reklamash dhe marrëdhëniesh me publikun që punon me kompani të mëdha në mbarë botën.
Lewandowski ka investuar edhe në Protos Venture Capital, një tjetër kompani polake e dedikuar për të mbështetur krijimin e “start up”-eve në internet.
Në fund, Lewa ka krijuar edhe “RL9 Games”, kompani video-lojrash, ndërsa në Varshavë ka hapur edhe restorant.
Diskutime rreth kësaj post