Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pasi emri i tij, sipas Autoritetit të Dosjeve, rezulton në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Pse bëhet kjo? Çfarë i kushtonte Autoritetet që qenka shqetësuar, që të thërriste I.M. nëse ish ky këtu, që është Ilir Rexhep Metaj. Nuk jam as president, as deputet, dhe për se u dashka bërë me urgjencë një ligj i posaçëm për këtë I.M. që ata ta verifikojnë? Patjetër u ngrit Parlamenti në këmbë. Po cili Parlament? Ai me në krye zonjën Nikolla, apo Lindita e Ramës në Parlament që përdoret për nevojat personale të tij, siç është urgjenca për të spostuar vëmendjen nga afera e inceneratorëve ku do të përvëlohen të gjithë…Parlament patronazhistësh, me një opozitë plot me Lulushë. Po cili Parlament qenka shqetësuar për këtë çështje? Ky Parlament që falsifikoi e firmën e kryetarit të Parlamentit në një moment të rëndësishëm të shtetit shqiptar, kur vijohej gjyqi kundër presidentit të Republikës…Lindita e Parlamentit përdoret për nevojat personale të hallexhiut Esatit, për të shmangur vëmendjen. Kush e ka ndaluar këtë autoritet t’i bëjë publike se sa I.M. kanë qenë në Fakultetin e Ekonomisë. Në atë kohë kam qenë Sekretar i Rinisë së Fakultetit të Ekonomisë. U zgjodha se i kisha thuajse të gjitha dhjeta por edhe se kisha aftësi lideri që atëherë. Unë njoh nja 50 Ilir Metaj. Në klasë kemi qenë dy Ilir Metaj. Ai ishte njeri korrekt dhe jam i sigurt që s’ka qenë. Autoriteti ka një përgjegjësi të madhe, se për nevoja të Ramës, shkatërron besimin e tij në publik. Për çështjen në fjalë dua të siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi në politikë sepse ka qenë dhe është dhe do të jetë i pastër në ndërgjegjen e tij. Por do të vazhdojë edhe nja 30-40 vjet të tjera. Ëndrra ime tani është të bëhem sa më shpejt kryetar i Referendumit.”- tha ai.
Diskutime rreth kësaj post