Kryeministri Edi Rama, ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik me të cilin u përball Shqipëria, ku ditën e djeshme u mësua se dokumente zyrtare, po publikohen nga një faqe online dhe dyshimet janë se hakerat kanë arritur të marrin një numër të dhënash të shtetit.
Rama thotë se ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertë, sapo kjo gjë të jetë e mundur.
Sipas tij, media po “keqtrajton publikun” me mënyrën si e raporton ngjarjen.
Ai ngre pikëpyetjen se përse “Top Channel spekulon, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin kibernetik”.
Ndërsa për Irfan Hysenbelliun dhe mediat e tij, Rama deklaron se “është kapur me evazion masiv“, ndaj “kuptohet lehtë përse e bën”.
“E gjithë ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media.
Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit!
Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin kibernetik, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!”, shkruan Rama në Twitter./Tpz
Diskutime rreth kësaj post