Duket se përtej boshatisjes së plazheve nga ana e pushuesëve, pronarët shqiptarë ende nuk kanë zënë mend dhe vazhdojnë përsëri të abuzojnë në mënyrë skandaloze me pushuesit. Rasti më i fundit na vjen nga Ksamili ku rezulton se një kilogram levrek ka kushtuar plot 110 mijë lekë të vjetra. Një grup pushuesish të irrituar jashtë mase kanë kontaktuar me redaksinë e Joq Albania për të denoncuar një restorant në Ksamil të quajtur “Denoel”.
Ata denoncojnë se pasi kanë konsumuar drekën u ka ardhur një faturë e kripur dhe e pafiskalizuar. Pushuesit kanë qenë 12 persona ku katër ishin fëmijë. 2 persona kanë konsumuar linguini, ndërsa 5 të tjerë kanë porositur fileto pule. Ndërsa pjesa tjetër kanë porositur një peshk me peshë 2 kilogram ku vetëm çmimi i tij është faturuar 220 mijë lekë të vjetra, ose e thënë ndryshe 1 kg është faturuar 110 mijë lekë të vjetra. Pushuesit shprehen se kanë ngelur të skandalizuar dhe pyesin nëse organet tatimore bëjnë kontrolle apo thjesht mbushin xhepat e tyre?
Jo vetëm kaq, por pushuesit shprehen se fatura në vlerë totale ka kushtuar 460 mijë lekë të vjetra ndërsa ka qenë e pafiskalizuar, pra asnjë lekë tatim nuk ka shkuar në shtet por gjithçka ka përfunduar në xhepat e pronarit të babëzitur. Sipas denoncuesëve, fatura gjithashtu ka pasaktësi pasi në vend që të shkruhej 2 KG peshk, janë shkruar sikur janë konsumuar 22 peshq. Të pyetur nga ana e redaksisë se çfarë lloji peshku ishte, qytetarët u shprehën se bëhej fjalë për levrek të rritur në vaska deti, sipas pronarit ishte i egër sepse ishte rritur me ujë deti. Së fundmi denoncuesit shprehen se edhe vlera e çadrës me dy shezllone ishte e lartë pasi kushtonte 20 mijë lekë të vjetra, natyrisht pa asnjë faturë të rregullt.
Në vijim mesazhi i plotë:
“Pershendetje Joq, desha te bej nje denoncim. Kemi qen 12 persona ku 4 ishin femije ne ksamil tek Restorant- Hotel Denoel dhe pasi kemi konsumuar dreken na ka ardh nje fature e kripur dhe jo e fiskalizuar. 2 persona kane konsumuar linguini dhe 5 me fileto pule pjesa tjeter kemi ber porosi nje peshk 2 Kg ku cmimi peshkut eshte 22.000 lek turp per kete vend dhe bejne mire pushuesit qe nuk vine ne kete vend. Doja te dija hetimi tatimor a ben kontrolle apo mbushin xhepat e tyre. Ministria a mer masa per keto biznese apo e kan vendos ta shfarrosin kete vend? Ne morem vec 1 peshk 2 kg, ai ka shkruar 22 peshq dhe fatura pa fiskalizim. Pra 1 kg i bie 11.000 leke te reja. Ishte levrek i rritur ne vaska deti, sipas tyre i eger se rritet ne uji deti. Madje kemi debatuar aq shume, nuk po i quajme fare sezhllonet 2000 lek te reja, as fature as gje. Dhe fatura e ushqimit nuk esht nga kasa, por fature programi kompjuter, duket qe ska fiskalizim. Ndaj nuk behet me ky vend, ky shtet ka rene, dhe ja bejne mire qe nuk vijne pushues. Me mire paguaj paket e iki jashte dhe e di se sa eshte cmimi se sa te vish tek keta plera qe i pine gjakun ketij vendi…” tha ai,
Diskutime rreth kësaj post