Presidenti Meta ka reaguar pas bllokimit të shërbimeve online për qytetarët për shkak të një sulmi kibernetik me burim nga jashtë. Meta shkruan se kjo është një situatë e paprecedentë dhe se rrezikohet siguria e vendit dhe qytetarëve, ndërkohë që kujton se kërkoi marrjen e masave për rritjen e sigurisë që prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Meta: E vlerësoj tepër të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike online, që ka krijuar vështirësi të jashtëzakonshme për qytetarët, bizneset dhe për shumë veprimtari të tjera të lidhura me këtë sistem.
Në mënyrë të përsëritur edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare përpara agresionit kundër Ukrainës, kam kërkuar marrjen e të gjitha masave për rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar ngjarje të tilla.
Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti.
Apeloj marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.
Diskutime rreth kësaj post