Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka përkujtuar dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi në 45-vjetorin e ekzekutimit të tyre.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Basha shkruan se dy poetët e vrarë nga diktatura komuniste paguan me jetët e tyre guximin për të sfiduar një diktaturë që mbahej në këmbë nga heshtja.
“45 vjet më parë diktatura komuniste ekzekutoi Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, dy poetë, që me forcën e fjalës së tyre lëkundën shpirtrat e padorëzuar ndaj të keqes dhe frikësuan regjimin e egër, sepse ndrydhja e përditshme, vuajtjet dhe izolimi, nuk e përkulte krijimtarinë dhe lirinë e poetëve, që nuk i këndonin pushtetit por realitetit të hidhur të diktaturës.
Genci dhe Vilsoni paguan me jetët e tyre guximin për të sfiduar një diktaturë që mbahej në këmbë nga heshtja, frika dhe dhuna, e si të gjitha diktaturat fundin e gjejnë kur qytetarët, falë shembujve të njerëzve të lirë si dy poetët martirë, mposhtin frikën.
Ndaj dhe jetët dhe vepra e Gencit dhe Vilsonit janë një thirrje ende e gjallë për të gjithë ne, sidomos kur shohim që intelektualët trysnohen, gazetarët “riedukohen” dhe modelet e të shkuarës komuniste riciklohen, na takon të gjithë ne të qëndrojmë dhe të luftojmë për lirinë, për shpresën, për të ardhmen.
Mirënjohje përjetë Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës! I pavdekshëm qoftë kujtimi i tyre!”, shkruan Basha.
Diskutime rreth kësaj post