Kryeministrit Rama, në mandatin e tretë, do i duhet të përballet me një tjetër krizë që po troket, e natyrës globale, me shkas luftën ruso-ukrainase, aty ku po tentohet të rrëzohet rendi global i deritanishëm për t’u zëvëndësuar me një tjetër, nga imponimi rus por jo vetëm. Dhe si çdo përmbysje rendi e krijimi i një të riu, ka një kosto. Kjo mund të jetë lufte me armë ose lufte ekonomike. Dhe siç shihet, të dyja janë të ndërthurrura.
Pas tërmetit dhe pandemisë, njëra lokale e tjetra globale, të cilat i zunë gjysmën e mandatit të dytë dhe tashmë po i marrin mandatin e tretë, nuk ka më vend që të diskutohet për Rilindje. Ky eufemizëm politik i qeverisjes së Ramës, i përkiste një tjetër kohe. Tashmë ai është një kryeministër krizash dhe do duhet të gjykohet vetëm në këtë prizëm, si dhe në atë të aftësive diplomatike në “shahun e madh” që po luhet mes fuqive. Kujtojmë se deri pak kohë më parë, krah fuqisë së re të rikthyer botërore, Turqisë, ai do lëshonte sinjale lirie nga detyrimi për të qenë me patjetër pjesë e BE-së. Thënë këtë, pa e hequr BE-në nga goja si “aspiratë historike”, por ama duke qenë dhe kritik ndaj saj pa komplekse. Momenti e do sot që ta luash këtë lojë, edhe pse nuk e ke menduar kur ke ardhur në qeverisje me krejt tjetër vizion politik. Asgjë sot nuk ngjan me vitin 2013, globalisht apo politikisht.
Rilindja e atëhershme si kredo politike, sot është krejt e pavlerë. Rama nuk ka më ç’të rilindë. Rama thjesht i duhet të menaxhojë kriza të pamenduara deri dje. Ky paska qenë fati i tij politik.
Nga ana tjetër është opozita, e cila ka një ngazëllim të pafrenuar nga ajo që po ndodh. Ajo ka përfshirë Siri Lankën në narrativën e vet, duke parë te ajo përmbysjen e ëndërruar të Ramës me protesta popullore, e ndërgjegjshme nën nënvetëdije se me votë nuk mundet dot t’ja marrë pushtetin. E do këtë pushtet PD-ja jo se ka ndonjë projekt rilindjeje të saj; s’e ka patur kurrë, por thjesht po e “dërrmon malli” për pushtet pas vitesh të gjata në opozitë. Këtu nis e mbarron gjithçka te ajo. E kërkon këtë në kohën më të paduhur.
Ndaj sot, shqiptarët nuk janë përballë alternativave se kush mund “ta bëjë Shqipërinë”, ky apo ai, por se kush e përballon më mirë një krizë.
Dhe në të gjithë krizat e deritanishme ka një faktor: Turqia. Ka qenë kjo e fundit shpëtimtare dhe vijon të jetë suporti më i madh i Shqipërisë për ditë të këqija. U pa kjo te tërmeti, u pa te pandemia, pritet të shihet te ushqimi dhe energjia. Rama po bëhet gati për vizitën e radhës te Erdogan. Ndodh kjo ndërsa Berisha, në mënyrë të paprecedent, ka përfshirë në ligjërimin e tij armiqësor dhe Turqinë. E fundit, tha se nuk do lejojë që kjo e fundit të diktojë kreun e KMSH-së. Kjo është herë e parë në 30 vjet që një zë politik i sferave të larta në Shqipëri zgjedh të përplaset me Turqinë. Dhe ndodh kjo ndërsa në llogaritjet gjeopolitike të një rendi të ri është marrëzi të kesh raporte të cenuara me Turqinë. Dhe ta mendosh se kësaj i shmanget si SHBA e si Rusia. Natyrisht dhe BE.
Diskutime rreth kësaj post