“Në Gjermani po vihet në rrezik paqja sociale!”- deklaroi më 7 korrik zëvendës/kancelari i Gjermanisë, Robert Habek. Arsyeja kryesore: çmimet e gazit natyror. Rusia po i frenon furnizimet e saj drejt Europës, në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen e saj për Ukrainën. Faturat e energjisë në Gjermani pritet të rriten në mënyrë dramatike.
Çmimet e larta të gazit do t’u shkaktojnë humbje të mëdha kompanive. Habek frikësohet se ato mund të shkaktojnë një falimentim të shumë prej tyre. Parlamenti gjerman sapo ka miratuar një ligj për sigurinë energjetike, që e lejon qeverinë të shpëtojë nga falimenti kompanitë më të goditura nga kjo krizë energjetike.
Skenari më i keq – një ndërprerje e plotë e gazit rus – duket gjithnjë e më i besueshëm. Kompania ruse “Gazprom” i ka vendosur nën presion europianët për muaj të tërë. “S & P Global”, një kompani kërkimore, llogarit se në qershor Rusia dërgoi vetëm 4.7 miliardë metra kub gaz, pak më shumë se 1/3 nivelit të fillimit të vitit të kaluar.
Flukset më të mëdha të gazit vijnë në kontinent nëpërmjet “Nord Stream 1”, që lidh Rusinë me Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik. (Nord Stream 2, nuk u miratua nga Gjermania si një ndëshkim për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës). Por tani Rusia po e pakëson më tej eksportin e gazit drejt Europës.
Më 16 qershor ajo e reduktoi kapacitetin eksportues deri në 40 për qind, duke u justifikuar me pengesat teknike. Klientët e mëdhenj europianë si ENI në Itali, OMW në Austri dhe UNIPER në Gjermani u dëmtuan rëndë. Tani ata duhet ta kompensojnë mungesën duke blerë gaz me një çmim më të lartë në tregun ndërkombëtar.
UNIPER, që sipas një llogaritjeje po humbet rreth 30 milionë euro në ditë, është gati të kërkojë ndihmën e qeverisë. Ndërkohë, mëngjesin e 11 korrikut, Rusia nisi ndërprerjen për 10 ditë të të gjitha eksporteve të gazit nëpërmjet “Nord Stream 1” për shkak të punimeve për mirëmbajtjen e linjës.
Një turbinë ka nevojë për rregullim dhe prodhuesja e saj “Siemens Energy”, e dërgoi atë në Kanada për riparim. Por për shkak të sanksioneve të vendosura nga Kanadaja ndaj Rusisë, ajo hezitoi ta çonte turbinën sërish në Rusi. Habek i kërkoi Kanadasë që t’i japë pajisjet riparuese Gjermanisë, duke anashkaluar sanksionet.
Më 9 korrik, Kanadaja u dorëzua dhe e pranoi kërkesën. Xhonathan Shtern i Institutit të Oksfordit për Studimet e Energjisë, një institut kërkimor, mendon se Vladimir Putin është i kënaqur nga kjo përplasje, gjë që i bën sanksionet të duken si kundërproduktive.
Tani që Perëndimi është tërhequr, mendon ai, Putin mund të rifillojë dërgimin e një sasie gazi përmes “Nord Stream1”, ndërsa Europa do ta ketë marrë një paralajmërim të fortë. Ai mund të përdorë gazin si një armë, kur moti të nisë të ftohet. “Unë pres që rusët të hakmerren ndaj europianëve këtë dimër,”– thotë një drejtues i Big Oil.
Komisioni Europian dëshiron që të organizojë një përgjigje të unifikuar të BE-së ndaj një makthi të tillë, për të shmangur lutjet poshtëruese ndaj Moskës, që i bënë në fakt disa vende anëtare në muajt e parë të pandemisë së COVID-19.
“Ne duhet të sigurohemi që në rastin e ndërprerjes së plotë të furnizimeve nga Rusia, gazi të shkojë më parë drejt vendit ku ai është më i nevojshëm”, – deklaroi më 6 korrik Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian. Plani i KE do të shpallet brenda 20 korrikut.
Ndërkohë, një samit ministror mbi sigurinë e energjisë është planifikuar të mbahet pak ditë më vonë. Reagimi i Europës bazohet në 4 shtylla: rritjen e niveleve të magazinimit të gazit, diversifikimin e burimeve të energjisë, inkurajimin e reduktimit të kërkesës, dhe racionimin. Më e rëndësishmja është rritja e kapaciteteve ruajtëse.
Vitin e kaluar shumë kompani refuzuan të blejnë gaz me çmimet e rritura artificialisht nga Rusia. Për këtë arsye, nivelet në rezervuarët e magazinimit mbetën shumë të ulëta, por për fat Europa kaloi një dimër të butë. Këtë vit, një plan i miratuar nga Parlamenti Europian në qershor, kërkon mbushjen e të paktën 80 për qind të depozitave të gazit deri më 1 nëntor, duke e rritur në 90 për qind në vitet e ardhshme.
Edhe shtetet anëtare që nuk kanë në dispozicion depozita të gazit, duhet të ruajnë të paktën 15 për qind të konsumit të tyre vjetor në depozitat e vendeve të tjera. Lajmi i mirë është se rezervat e magazinimit të BE-së janë aktualisht 60 për qind të mbushura. Pra, 60 miliardë metër kub gaz të magazinuar, nga rreth 50 miliardë metër kub një vit më parë.
Modelimi i ri i hartuar nga një grup institutesh gjermane të udhëhequra nga Instituti Kiel, sugjeron se Gjermania mund ta përballojë këtë dimër edhe nëse Rusia e ndërpret furnizimin me gaz që këtë muaj. Në prill, kur kishte si rezervë më pak gaz, mendohej se diçka e tillë ishte e pamundur.
Por jo të gjitha vendet e kanë ruajtur gazin në mënyrë të barabartë. Ata që i kanë të mbushura depozitat me më pak se 50 për qind (Bullgaria, Rumania dhe Hungaria janë shumë prapa në këtë proces), do të vuajnë në rast se dimri i ardhshëm do të jetë shumë i ftohtë.
Sa u përket furnizimeve me energji alternative, importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) janë rritur në mënyrë dramatike. Çmimet e larta në Europë, i kanë joshur cisternat të braktisin Azinë. Banka Morgan Stanley, vlerëson se rreth 41 miliardë metër kub gaz ka hyrë në Europë në 3-mujorin e parë të këtij viti, ose 70 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por LNG nuk mund të dërgohet direkt në Gjermani, pasi ajo nuk ka objekte të përshtatshme të ruajtjes. Për ta zgjidhur këtë problem, ky vend ka blerë anije të rigazifikimit. Por nuk ka gjasa që ato të hyjnë në punë para fillimit të vitit 2023, thotë Zhaime Konsha i “Energy Intelligence Group”.
Plani afatmesëm i Bashkimit Europian, është të rrisë prodhimin e energjisë nga era, dielli apo edhe hidrogjeni. Por problemet më të mëdha do të jenë tani, sidomos nëse gazi ndërpritet brenda disa javësh. Me bekimin e eurokratëve, shtetet anëtare, përfshirë Holandën dhe Gjermaninë, po lejojnë që termocentrale me qymyr të prodhojnë më shumë energji.
Pastaj është edhe reagimi ndaj kërkesës. Çmimet e larta të gazit, e kanë ulur tashmë një pjesë të kërkesës. Lezli Palti-Guzman e kompanisë analitike “Leviaton”, vlerëson se konsumi industrial në Europë ka rënë me 20 miliardë metër kub gjatë muajve të fundit. Industria gjermane, që varet shumë nga gazi i lirë dhe që përbën 37 për qind të përdorimit të përgjithshëm, do të goditet rëndë, mendon ajo.
Në këto kushte Gjermania flet hapur për perspektivën e frikshme të racionimit, ndërsa shumica e vendeve e kanë shmangur atë. Tani Komisioni Europian po përgatit një “kornizë të menaxhimit të krizës”. Ka disa plane për të ndihmuar fqinjët në rastin e një emergjence afatshkurtër, por nuk ka ende plane për një krizë që mund të prekë gjithë rajonin dhe që mund të zgjasë me muaj.
Një propozim kërkonte që KE të bashkërendojë reduktimet e kërkesës për gaz në të gjitha vendet anëtare. Përtej mbrojtjes së spitaleve dhe azileve, vende të ndryshme kanë prioritete të ndryshme. Dikush mund të refuzojë të dërgojë gazin e tij për të ndihmuar një fqinj të plotësojë nevoja që nuk i konsideron urgjente. Pa një skemë të harmonizuar, thotë një burim i brendshëm në Bruksel “ne do të kemi një bllokim të plotë të tregut brenda pak muajsh”.
Diskutime rreth kësaj post