Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pasi SPAK pezulloi sot kompanitë fiktive të Inceneratorëve. “SPAK u zgjua nga gjumi letargjik, vetëm sot, tepër vonë, kur rolin dhe emrat e kompanive fiktive në skemën e aferës së inceneratorëve, ia kisha analizuar me fakte në kallëzimin e dorëzuar që para 1 viti.
“Procedimet penale të mësipërme ndodhen në fazën e hetimeve paraprake dhe veprimet hetimore lidhur me këto procedime penale ende nuk kanë përfunduar. Veprimtaria hetimore për këto tre procedime penale është duke u zhvilluar në përputhje me afatet procedurale të hetimit që janë parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.” – Kjo është përgjigja e fundit e prokurorisë speciale, në datë 8 qershor 2022, ndaj kërkesës time të përsëritur për informacion.
Çdo ditë që ikën, 80.000 dollarë nga taksat e qytetarëve paguhen për inceneratorin korruptiv të Tiranës. Shqipëria nuk mund të mjaftohet me disa ish zyrtarë që janë sot prapa hekurave, jo si të dënuar, por në zbatim të masave të sigurisë.
Shqiptarët presin drejtësi të vërtetë për çdo zyrtar të korruptuar, pjesë të skemës së inceneratorëve.
Ndaj, nuk do rresht së drejtuari thirrjen dashamirëse: Mos merrni mbi shpatulla hallin e Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe Armando Subashit. As mos u intimidoni, as mos u joshni prej ofertave që mund t’iu kenë ardhur prej tyre. Sepse, për hallin e avokatit të inceneratorëve Erion Veliaj, ekzekutorit Engjëll Agaçi dhe pronarit të skemës korruptive Edi Rama, në vitin 2022 nuk mund të bëni kurban veten, drejtësinë, Shqipërinë.”, shkruan Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post