Blendi Fevziu ka treguar arsyet përse i ka refuzuar ofertat për t’u bërë pjesë e politikës. Ai tha se nuk i përshtatet dot formatit të një politikani sepse është njeri i lirë dhe nuk mund të kufizohet dhe të jetë strikt, pasi pëlqen udhëtimet dhe largohet shpesh nga vendi.
Fevziu gjithashtu foli për jetën në diktaturë, studimet dhe fillimet e tij si gazetar.
Pjesë nga biseda në studio:
Blendi Fevziu: Më kanë thirrur disa herë. Kam qenë 31 vjeç. Që në momentin e parë kur më kanë thënë, kam thënë jo. Ideja që kam patur, ka qenë mos-ngatërrimi me politikën.
Kam qenë aktiv në vitet 90’-95’ midis gazetarisë dhe politikës. Kam qenë pjesë e Partisë Demokratike në fillim dhe Aleancës Demokratikë më mbrapa.
Edhe pse isha shumë i ri, fillova të kuptoj që në politikë gjërat nuk varen shumë nga ti. Ose do të jesh i pari dhe të vendosësh piketat, ose të gjithë të tjerët mbrapa nuk e mbajnë dot peshën e të ruajturit të personalitetit të fortë. E shihja që kishte brryla, sharje, ishte gjë neveritëse. Në gazetari kisha më shumë pasion. Të gjithë ofertat e mëpasme kam thënë jo. Madje një miku im që ka qenë prezent kur më kanë bërë oferta, më ka thënë pse thua jo? Kam thënë jo sepse nuk kam dilemë.
Në një rast tjetër kur më kanë bërë një gjë të ngjashme, kam thënë unë nuk jetoj dot me badigardë. Jam njeri relativisht i lirë. Liri do të thotë që çohem në mëngjes, vendos të iki, mbush valixhen dhe i hipi një avioni, mund të gjendem në fund të botës. Jam njeri që dua të dal për dreka, ti hipi makinës të shkoj në një vend tjetër, nuk bëj dot jetën strikte. Edhe pse jeta ime ka qenë e limituar për shkak të katër emisioneve në jave.
Para disa kohësh kisha një problem me marrje mendsh dhe vajta te një mjek në Austri. Kur po i tregoja ritmin tim të punës, ai ngeci një moment. Më tha, ke një problem ndryshe me ritmin. Ritmi starton në mëngjes, arrin një kulm nga dreka dhe rreth orën pesë bie ritmi, kurse ty të kulmoka në 10 të natës, ndaj duhet të përshtatesh me një lloj jete tjetër.
Ylli Rakipi: Fevzi, si u bërë gazetar ti? Vendi ishte bosh, mund të zgjidhje gjithçka. Ti pse shkove te gazetaria?
Blendi Fevziu: Ishte një kohë kur oferta për të punuar dhe për tu angazhuar, ishin më të mëdha se mundësitë që kishte vendi. Mund të bëheshe çfarë të doje, deputet, ministër, gazetar, biznesmen. Mund të shisje cfarë të doje. Unë nuk isha rastësisht. Kisha zgjedhur të studioja letërsi. Mua mu përputh kërkesa me atë që më caktuan. Im atë dhe ime më nuk ishin dakord. Im atë thoshte nëse do të kesh hajër në jetë, mundohu të marrësh një profesion. E dyta thoshte mos bëj shkollën e lartë, po mbarove shkollën e lartë do të hedhin në veri. Më mirë shko ushtar dhe merr zanat, rri në Tiranë. Ime më thoshte letërsia nuk është ndonjë degë, jam vetë mësuese letërsie. Unë doja letërsinë. Im atë më tha po shkatërron jetën tënde. Ai thoshte merr profesion. Madje kishte idenë për mjekësinë apo inxhinier. Pra një zanat. Unë nuk kisha asnjë lidhje me zanatet.
Kur hyrë në letërsi, atë vit ndodhi dicka. Unë vija nga një familje që kishte probleme me regjimin komunist dhe normalisht do ta kisha të vështirë të drejtën e studimit. Për fatin tonë të madh, Ramiz Alia në një takim, mbajti një fjalim ku ka thë një frazë që e përdorën të gjithë për të shkuar në shkollë, tha që ne nuk kemi pse ta shtrijmë luftën e klasave edhe te nipërit e atyre që kanë qenë kundërshtarë, sepse janë njerëz që janë lindur dhe rritur në sistemin tonë popullor, duhet t’ju japim mundësi nëse janë të aftë.
U futa në shkollë, fillova të angazhohem me gazetën Studenti, do të thotë të punoje falas, të rrije dy herë në javë në shtypshkronjë, por e bëja me pasion. Kur filloi të liberalizohej pak, vendosa bashkë me Ben Blushin të bënim një seri intervistash me shkrimtarë të njohur, për ti dhënë gazetës Studenti një frymëmarrje tjetër. Shkuam te shkrimtarët më të njohur. Befas, këto intervista që i bënim dy faqe, filluan të kishin vëmendje të jashtëzakonshme, sa filluan shkrimtarë të njohur të na thoshin përse nuk na merr ne. Nga gjashtë muaj shkoi dy vjet ai cikël. Filluam të njihemi me Prec Zogajn dhe Remzi Lanin, që ishin njerëz të rëndësisëm dhe filluan të na angazhonin për Gazetën Zëri i Rinisë.
Gazetaria ishte pasion. Ka shumë njerëz në botë që bëjnë një punë, e bëjnë se duhet të jetojnë, e bëjnë sepse fitojnë shumë, e bëjnë sepse është e vetmja mënyrë ekzistence. Por, ka shumë pak njerëz që bëjnë një punë që do të dëshironin ta bënin në jetë. Kjo është puna që unë dua të bëj në jetën time. Ditën që do të çohem në mëngjes me sikletin që ç’më duhet kjo punë, do të iki.
Diskutime rreth kësaj post