Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides.
Kurti foli për zhvillimet pozitive në Kosovë, rritjen ekonomike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ministri Kasoulides theksoi se Qipro dëshiron të shtojë komunikim dhe bashkëpunimin me Kosovën.
“Ai konfirmoi mbështetjen e Qipros për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Kryeministri theksoi potencialin për lëvizje pozitive në raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Qipros. Ai potencoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dëshmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ai i bëri ftesë Ministrit Kasoulides për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, për të parë personalisht zhvillimet pozitive në vend.
Ky takim u realizua në kuadër të pjesëmarrjes së Kryeministrit Kurti, në Tryezën e Rrumbullakët organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Gjatë qëndrimit të tij atje, kryeministri po zhvillon takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm.
Diskutime rreth kësaj post