Mbrëmjen e 21 marsit të këtij viti, Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike pas gati 9 vitesh në krye të saj. Shkak u bë humbja dramatike e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashki të vendit, por më tepër një vendim i gjykatës së Tiranës që ia njohu Komisionit të Rithemelimit Kuvendin e organizuar në dhjetor të një viti më parë në stadiumin Air Albania.Pas kësaj, Komisioni i Rithemelimit mori selinë e Partisë Demokratike. U hoqën dyert e hekurit, fasada u rilye dhe u ndryshuan simbolet. Komisioni i Rithemelimit mori edhe grupin e njoftimeve në Whatsapp për gazetarët duke nxjerrë jashtë tij edhe ata që kishin mbështetur ish-kryetarin Basha.Largimi i tij nga PD, jo vetëm që nuk e bashkoi partinë, por ka sjellë sherre edhe më të forta brenda saj. Burime të sigurta për gazetën “Sot” bëjnë me dije, se Basha ende nuk e ka lëshuar të gjithë partinë. Kjo vjen, pasi shumica e deputetëve demokratë që PD mori në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë rreshtuar krah tij.
Rruga që do të ndjekë Basha
Por më e rëndësishmja dhe më kryesorja, është se Lulzim basha e ka shumë të lehtë për t’u rikthyer në krye të selisë blu. Mënyra është shumë e thjeshtë. Fati i saj është në dorë të Gjykatës së Apelit, aty ku kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj po përplas “brirët” me “Foltoren”, pasi ai ka ankimuar vendimin e paprecedent të Agron Zhukrit, i cili i fali PD-në, Sali Berishës. Mësohet se Gjykata e Apelit e ka thelluar me themel këtë çështje dhe se pritet që të rrëzojë vendimin e Zhukrit, pavarësisht se Sali Berisha po e shantazhon atë dhe madje ka paralajmëruar se nuk do të njohë asnjë vendim të saj. Mësohet se vendimi i Apelit, i cili zhbën vendimin e Agron Zhukrit,e kthen Partinë Demokratike në pikën zero dhe i hap rrugë Lulzim Bashës të marrë vendime, deri sa të mbahen zgjedhje të reja.
Si po e përgatit terrenin?
Pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, që erdhi pas zgjedhjeve të 6 marsit, Lulzim Basha ka nisur takimet në terren jashtë fokusit të kamerave.Basha në daljet e tij të rralla publike ka theksuar se do të punojë për bashkimin e demokratëve. Ai ka thënë edhe pse nuk e drejton më PD, nuk ka hequr dorë nga përgjegjësitë e tij ndaj demokratëve dhe shqiptarëve.Sinjalet për një rikthim të ish-kryetarit i ka dhënë dhe deputeti Ervin Salianji. “Basha ka dhënë dorëheqjen, por nuk ka hequr dorë. Ai do të bëjë çdo përpjekje që të kthehet në një parti, sado të vogël e të dobët, vetëm që të ndihet kryetar. Kjo duket në qëndrime”, u shpreh deputeti pak ditë më parë.
Berisha do të hiqet me dhunë nga PD
Burime bëjnë me dije se po punohet fort në prapaskenë që përmes presionit, dhunës dhe shantazhit, të uzurpohet gjithë godina e Partisë Demokratike, pa folur ende gjykata e Apelit. Pasi nëse Apeli flet pro Bashës, Berisha i ka keq punët. Nisur nga fakti që ligji i jep të drejtë Bashës të drejtojë PD-në, mësohet se në lojë do të hyjë Përmbarimi, i cili do të nxjerrë Berishën nga selia blu. Në këtë kontekst, gazeta ka mësuar se pas këtij veprimi dhe në kushtet ku Sali Berisha dhe mbështetësit e tij do të bëjnë rezistencë, mësohet se drejtuesit legjitim të Partisë Demorkatike do të pajojnë një polici private për të ruajtur godinën. Kjo strategji pritet t’i hapë telashe Berishës, pasi ai dhe mbështetësit e tij nuk mësyjnë dot në godinën blu, sikundër bënë më 8 janar të këtij vitit, pasi policia private nuk pret urdhra nga Basha apo Alibeajn dhe se ligji i jep të drejtë asaj që të thërrasë në ndihmë Policinë e Shtetit, për të shtypur revoltat apo dhunën që mund të aplikohet nga ithtarët e Berishës.
Diskutime rreth kësaj post