Gabim i madh nëse Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë propozimin e presidentit francez, Emannuel Macron. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për “Kanal 5” në Shkup.
Nga atje, Rama apeloi që drejtuesit e Maqedonisë së Veriut të pranojnë propozimin, të cilin e cilësoi si “mundësia e hapjes së rrugës së integrimit”.
“E kam ndjekur në vijimësi të gjithë punën e madhe që është bërë veçanërisht në Madrid për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve të Maqedonisë së Veriut dhe mund t’ju them që Presidenti Macron ka ushtruar të gjithë influencën e tij duke punuar 48 orë pa pushim, natë e ditë”, u shpreh Rama.
Kryeministri shpjegoi se nuk po ia kërkon këtë Maqedonisë së Veriut për “të shpëtuar Shqipërisë”, por se kjo është e duhura.
“Shqipëria tani e ka kapërcyer pikën ku mund të eci vetëm dhe sigurisht ne do të kërkojmë të ecim të ndarë nëse Maqedonia e Veriut nuk do e pranojë, por po them do e pranoj sepse nuk do ketë një propozim tjetër, është përfundimtari, dhe ju nuk keni pse të rrini dhe 17 vite të tjera përballë asaj dere”.
Për Ramën, ajo derë duhet të hapet dhe në një farë mënyre çdo gjë do të diskutohet, “çdo pikë do kalojë në debat, çdo pyetje do marrë përgjigje në dialogun midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kështu që hapeni këtë derë, hapeni tani”.
Përpos të gjithave kryeministri theksoi se e respekton Bullgarinë dhe popullin bullgar, por shprehu mendimin se çështja me Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë pjesë e rrugës drejt BE-së.
“Kjo gjë më revolton, çështje midis dy vendeve të lidhura me historinë para së gjithash bëhen çështje të politikës dhe politika nuk është për të zgjidhur historinë, politika ose e bën ose e komplikon edhe më shumë historinë”.
Ai e finalizoi intervistën e tij duke ravijëzuar se zgjidhja nëpërmjet politikës, bëhet më e vështirë.
Diskutime rreth kësaj post