Ish-zv.kryeministri Erjon Braçe foli në emisionin “Arnautistan”, në MCN Tv, mbi arsyet e largimit nga qeveria. Braçe foli për “thika pas kurrizit”, duke u shprehur se nuk mund të ndante qeverinë me një tjetër person.
“Ishte zgjedhja ime që të mos isha në qeveri. Ka shumë arsye, një pjesë janë konsumuar mes meje dhe kryeministrit. Janë disa gjëra që mbase koha mund t’i tresë apo t’i nxjerrë në dritë më vonë. Janë disa gjëra që lidheshin me mua, që ia kam komunikuar kryeministrit. Kishte shumë gjëra që s’me pëlqenin, gjithmonë në raport me mua. Një prej elementëve janë këto thikat pas kurrizit. Pati një fushatë të madhe edhe për shkak të një çështje penale nga SPAK-u kundrejt një kryetari bashkie, që u hodh mbi mua mbi kurriz. Në atë periudhë s’mund të ndaja qeverinë me një person që e nxiste këtë gjë. Edi Rama ishte i qartë për çështjen, por në të tilla kushte s’kishte vend për dy, kishte vend për një.
Janë shumë gjëra që mendova se mund t’i ndryshoja nga brenda. Për një periudhë 7-mujore deri në tërmetin që i ndodhi vendit, gjërat po shkonin në hullinë e duhur, po mundoheshim të vendosnim një disiplinë dhe rregull, dhe nxitjes së një kulture pune në zyrat e shtetit. Tërmeti e bëri qeverinë më të gjerë dhe disa nga elementët që i kisha trajtuar gjatë vjeshtës së atij viti, që kishin të bënin me politika fiskale dhe politika ekonomike në dëm të bujqësisë dhe shtresave të varfra dhe të mesme, që tani po provohen të dëmshme, u prodhuan kushtet që të kishte stanjacion, në favor të këtyre njerëzve. Ditën që jam larguar e kam falënderuar Ramën për lirinë që më lejoi brenda qeverisë. Gjatë dy viteve e gjysmë kam pasur komunikim me të. Kisha liri të kundërshtoja dhe të mos firmosja në raste të caktuara”, tha Braçe.
Diskutime rreth kësaj post