Fushata “Unë dhe ti për mjedisin” e inicuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ambasada Britanike për të mbështetur mbrojtjen e mjedisit dhe ndalimin me ligj të qeseve plastike njëpërdorimshe në Shqipëri mblodhi në një event ministren Mirela Kumbaro, ambasadorin Alastair King-Smith, kryetaren e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe banorë të qytetit bregdetar.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro u shpreh se në këtë fazë, nga data 1 korrik, nuk mjafton më informimi, por do të fillojë aplikimi i gjobave në rastet e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike njëpërdorimshe.
“E kemi quajtur këtë fushatë “Unë dhe ti për mjedisin! Po ti çfarë do të bësh?” Ajo që ti mund të bësh është të marrësh që sot e tutje një torbë që të mos jesh i detyruar ta blesh një qese plastike, pavarësisht se kategoria e qeseve që janë në qarkullim, janë shumëpërdorimshe dhe do të blihen si mall. Që të kurseni para dhe të mbroni mjedisin, besoj që kjo është zgjedhja më e mire”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë takimit u prezantua një mural i artistit Denis Golgota, i cili do të qëndrojë në ‘Bulevardin Dyrrah’ dhe në mënyrë simbolike, qytetarët ftohen të shkruajnë angazhimet e tyre personale në mbrojtje të mjedisit.
Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith tha se mjedisi është një çështje shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe fushata e ambasadës ka për qëllim që zëri i tyre të dëgjohet.
“Mjedisi është një çështje që ka shumë rëndësi, prandaj le të përpiqemi të gjithë të bëjmë diçka. Premtimi im personal, është të reduktoj përdorimin e automjetit, por do të bëj më të mirën time që të përmbush këtë angazhim duke ecur, duke pedaluar, edhe në temperatura të larta”, u shpreh ambasadori King-Smith duke prezantuar fushatën dhe faqen e internetit permjedisin.al.
Për kryetaren e Bashkisë Durrës, në këtë periudhë kur punohet për të pastruar qytetin dhe mirërpritur turistët njëkohësisht, është e rëndësishme që çdokush të bëjë detyrën e tij për të mbajtur pastër territorin dhe mbrojtur mjedisin.
“Ndërkohë që ne punojmë 24 orë për pastrimin e qytetit dhe për të mirëpritur turistët, është shumë e rëndësishme që çdokush të bëjë pjesën e tij për pastrimin e mjedisit, si një detyrë e të gjithëve”, u shpreh kryebashkiakia Sako në fjalën e saj.
Diskutime rreth kësaj post