Në nëntor të 2013-s, pak muaj pasi ishte ndarë ‘tepsia’ e pushtetit mes PS-së dhe LSI-së, Monika Kryemadhi ‘sistemon’ vëllain e saj, Drini Kryemadhi në punë si inxhinier mekanik në koncesionin e kolaudimit, që në atë kohë operohej nga kompania SGS.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe dhe ndoshta akuza për nepotizëm edhe mund të mos qëndrojë, nisur nga fakti që koncesioni menaxhohej e operohej nga një kompani private, që lidhje të vetme me shtetin në atë kohë kishte fitimet e majme që siguronte nga qytetarët përmes kolaudimit vjetor të automjeteve.
Por, dokumente të siguruara nga Voxnews.al tregojnë se nuk kemi të bëjmë me tymnajë, thjesht me një të vërtetë lakuriqe, që tregon se vëllai i kryetares së LSI-së, paguhej katër herë më shumë se inxhinierët e tjerë mekanikë, madje edhe më shumë se vetë drejtori ekzekutiv i SGS-së në atë kohë.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga Voxnews.al, Drini Kryemadhi e ka nisur punën me 385 mijë lek rrogë mujore, (3.85 mln lek të vjetra), ndërsa në të njëjtën periudhë drejtori ekzekutiv i kompanisë koncesionare e kishte pagën pak më shumë se 350 mijë lek (3.5 mln lek të vjetra).
Skandali merr të tjera përmasa nga fakti që përveç emrit në borderotë e kompanisë, askush nuk e ka njohur e parë Drini Kryemadhin në punë, ndërsa në të njëjtën periudhë rezulton edhe si pronar i një biznesi person fizik në emër të vet.
Aq punëtor është vëllai i Monika Kryemadhit, sa veç punës si inxhinier mekanik te kolaudimi, biznesit në emër të vet, rezulton edhe ortak me 45 për qind të aksioneve (në vlerë 18.540.00 lekë) në subjektin Tirana DKK, me objekt aktiviteti ndërtime civile, industriale, tregti, import eksport etj.
Drini Kryemadhi është bërë ortak në maj të 2014-s dhe tre muaj më vonë më ja kalon me dhurim kuotat shtetasit Nuri Peti, që rezulton të jetë vjehrri i tij. Në janar të 2018-s, vjehrri ia rikthen po me dhurim këto kuota Drini Kryemadhit.
Ku fle lepuri? Më 18 shtator 2014, më pak se një muaj pas largimit si ortak, Tirana DKK faturon SGS-në për një vlerë 3.2 milion lek, që së bashku me pagën e majme shtohen si fonde të tjera për vëllain e Monikës nga koncesioni i shumëpërfolur i kolaudimit si një nga nderet kryesore të 2009-ës për LSI-në.
Shtetasi Nuri Peti, rezulton se ka disa transaksione me familjen e Drini Kryemadhit (të gjitha kalime fondesh nga Nuriu te Drini)
– më 26.05.2011 Drinit i është kredituar llogaria me 60.000 Euro. Përshkrimi i transaksionit është: Kalim fondi nga Nuri Peti.
– më 15.05.2012, Manjola Kryemadhit (bashkëshortja e Drinit) i kreditohet llogaria me 20.000.000 lek si kalim fondi nga Nuri Shaqir Peti.
– më 24/04/2017 Nuri Peti i jep borxh Drinit 40.000 Euro.
Pra bollëk fondesh nga i vjehrri, por bollëku nuk ka fund! Drini Kryemadhi, i lindur me këmishë, vetëm në dhjetor të vitit 2020, muaji në të cilin koncesioni i SGS-së përfundon, arkëton bruto 3.235.594 lek pagë mujore!!! Përse? Për pandeminë?! Tërmetet?! Varfërinë familjare, apo për fushatën elektorale që afrohet për Monën?
Të gjithë në heshtje e dinë pozicionin e Drinit, madje çuditen pse kaq “pak” përfitim! Kishte pasur mundësinë të kishte shumë më tepër përfitime, jo vetëm rreth 40.000.000 lekë, që janë asgjë krahasuar me “mundin e tij të përditshëm” (vlera që ka marrë nga SGS), pasi po kaq i dhuron vjehrri vetëm me transaksione bankare! Kjo ndoshta justifikon zemëratën e familjes Kryemadhi ndaj koncesioneve – të cilat sapo të vijnë në pushtet do t’i zhbëjnë dhe do të shpëtojnë Shqipërinë!/vox
Diskutime rreth kësaj post