Sezoni turistik ka goditur vlerën e monedhës së përbashkët europiane në tregun vendas. Euro ka kapur nivelet më të ulëta historike duke u shitur me 119.4 lekë.
Tendenca e nënçmimit të euros përballë lekut ka vijuar përgjatë gjithë muajit qershor. Më 1 qershor 1 euro këmbehej me 120.4 lekë.
Monedha vendase është forcuar edhe kundrejt dollarit amerikan. 1 dollar këmbehet me 113.2 lekë, duke u dobësuar me 0.52 pikë përqindje krahasuar me fillimin e javës.
Dy monedhat e vetme që janë forcuar përballë lekut janë paundi birtanik dhe franga zviceriane. Një paund kushton 139.1 lekë në tregun e këmbimit valuator, ndërsa franga këmbehet me 118.2 lekë.
Monedha e përbashkët europiane ka fituar pikë ditët e fundit në tregjet ndërkombëtare, çka bën që efektet në tregun vendas të vijnë për shkak të ofertës së madhe të euros në vendin tonë.
Zhvlerësimi i euros do të godasë të ardhurat për sektorin eksportues të vendit, por në situatën e inflacionit të lartë që ka pushtuar Europën dhe vendin, pritet të sjellë një reduktim të çmimeve për mallrat që blihen në tregjet e eurozonës.
Diskutime rreth kësaj post