Marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike janë ato të cilat do të nënshkruhen ditën e sotme në mbledhjen mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kanë pasur rezultate konkrete nga marrëveshjet e firomsura në nëntor të vitit të kaluar në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Elbasan.
“Deri më tani rezultate konkrete nga ato marrëveshje kemi lehtësimin e procedurave për leje qëndrimin pesëvjeçar të qytetarëve të dy vendeve, hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë, lehtësimin e procedurës për njohjen dhe njehsimin reciprok të diplomave, ndihmën e ndërsjellët juridike në çështje civile dhe tregtare, krijimi i kalendarit të përbashkët kulturor, vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë, rritja e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore, kurse edhe atë të bujqësisë. Disa marrëveshje nga mbledhja e kaluar janë drejt finalizimit praktik të tyre, por iu ka mbetur që të adresohen edhe disa çështje teknike, sikurse ajo rregullimi i regjimit të trafikut lokal kufitar, lehtësimi i procedurave kufitare në pikën Vërmicë-Morinë, studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Prishtinë-Durrës, Durrës-Prishtinë, si dhe njohja e ndërsjellë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve”, tha Kryeziu.
Gjatë mbledhjes së sotme, Kryeziu ka deklaruar se vëmendje të veçantë do të marrë edhe projekti i ri i portit të Durrësit që pritet të ketë edhe Portin e Thatë në Prishtinë, dhe më pas lidhja me hekurudhën Prishtinë-Durrës.
“Fakti që kemi dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive në më pak se një vit, flet dhe është dëshmi për vullnetin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar 13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Këtë mbledhje po synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që synim kanë bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve. Kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mos pajtimeve për çështje të caktuara”, shtoi Kryeziu.
Mbledhja e tetë mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të mbahet ditën e sotme në Prishtinë.
Diskutime rreth kësaj post