Dita e Babait në parkun “Rinia” mblodhi sot, fëmijë e prindër për të kaluar një të dielë ndryshe me familjen, me shumë lojëra, argëtime dhe kohë cilësore së bashku.
Aktiviteteve të organizuara nga UNFPA dhe Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Kompanitë Pararojë për zbatimin e Politikave Miqësore për Familjen mbështetur nga zyra e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se Dita e Babait po kthehet në një traditë që festohet edhe në vendin tonë.
“Dua t’u uroj të gjithë baballarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, gëzuar festën! Kjo festë, për disa vite festohej vetëm në Amerikë, por me kalimin e kohës u përhap në të gjitha vendet e botës. Si baba i ri them se burrat mund të bëjnë çdo gjë që bën një grua. Të rrisësh një fëmijë është punë më vete, duhet kohë dhe përkushtim nga të gjithë anëtarët e familjes. Këtë e them edhe si dikush që është rritur pa babain dhe që gjithmonë e ka ndjerë nevojën për një figure që mund ta imitoja, të mësoja prej tij. Ndaj, besoj se sfida në një qytet të madh si Tirana, është të vendosim prioritet fëmijët, për të kaluar më shumë kohë me ta”, shtoi ai.
UNFPA po zbaton Projektin Rajonal “Më Shumë Zgjedhje përmes Politikave Miqësore për Familjen në sektorin privat”, i cili synon që gratë, burrat dhe familjet të përfitojnë nga politikat dhe nismat mbështetëse për familjen dhe të përgjegjshme gjinore që ofrohen nga kompanitë e sektorit privat dhe që promovohen edhe nga qeveria.
Në këtë mënyrë gratë mund të kenë më shumë zgjedhje për të përmbushur aspiratat e tyre për karrierë, kujdesin për familjen dhe lindjen e fëmijëve si dhe burrat të përfshihen më shumë në kujdesin ndaj familjes jo vetëm si sigurues i të të ardhurave financiare.
Dita e babait festohet çdo vit, në të gjithë botën, të dielën e tretë të qershorit, dhe ka rëndësi të veçantë për ndërgjegjësimin e të gjithë shoqërisë për të rritur përfshirjen e baballarëve në përkujdesjen ndaj familjes, në rritjen, edukimin dhe argëtimin e fëmijëve, në ndarjen e barabartë të punëve të shtëpisë, të cilat edhe në Shqipëri, kanë ende nevojë për vëmendjen dhe kontributin e domosdoshëm të baballarëve.
Kjo ditë gjithashtu, synon të festojë vlerat dhe rëndësinë që ka babai dhe pjesëmarrja e tij në jetën e çdo fëmije dhe familjes.
Diskutime rreth kësaj post