Nga Ohri, ku u takua ditën e djeshme me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, paralajmëroi aktivitete pozitive gjatë javës së ardhshme sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në BE.
“Bashkimi Europian është shumë i përkushtuar që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria të fillojën negociatat për anëtarësim. Po bëhen të gjitha përpjekjet që të gjendet një zgjidhje e përbashkët e pranueshme për palët. Jam i bindur se së shpejti do të ketë një zhvillim shumë pozitiv, që do të jetë shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe mbarë rajonin”, tha Michel.
Pas shumë muajsh premtimesh dhe mosmarrëveshjesh, kryeministri bullgar Kirill Petkov mesa duket më në fund ka pranuar se po përgatitet të heqë veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut në mënyrë që Shkupi të hapë negociatat me Bashkimin Evropian, ku në këtë mes do të përfitojë edhe Shqipëria. Më 17 nëntor 2020, Bullgaria njoftoi se do të vendoste veton mbi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian për shkak të mos adresimit të problemeve të Sofjes nga ana e Shkupit për çështje që lidhen me identitetin bullgar.
Sofja kërkon që gjuha maqedonase të mos përfshihet në asnjë kornizë negociuese të Shkupit me BE-në, pasi për Bullgarinë maqedonishtja është vetëm një dialekt i bullgarishtes. E po ashtu, Bullgaria pretendon se vetë kombi maqedonas është bullgar dhe se termi maqedonas është një krijim artificial i komunistëve jugosllavë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore. Dhe së fundmi, Sofja këmbëngul që Shkupi të heqë dorë nga pretendimi për njohjen zyrtare të pakicës maqedonase në Bullgari, ndërsa shtetasit maqedonas që identifikohen si bullgarë nuk duhet të pengohen.
Diskutime rreth kësaj post