Komisioneri i BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç deklaroi se mekanizmi që ai drejton do t’i vijë në ndihmë Shqipërisë gjatë verës për menaxhimin e situatës së zjarreve.
Lenarçiç u shpreh në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama se ashtu si shtetet e tjera edhe Shqipëria duhet të jetë gati për t’i ardhur në ndihmë vendeve të tjera anëtare në këtë mekanizëm.
“E mbani mend që vjet në verë që Shqipëria u përball me shumë zjarre si çdo vend tjetër në Mesdhe. Shqipëria ka qenë një nga ato vende që kanë kërkuar asistencë dhe ajo iu dha vjet. Edhe sivjet në verë mund të vijë. Ka ndodhur edhe përpara një jave. Mekanizmi është gati të ndihmojë.
Nuk duhet të harrojmë se ky mekanizëm funksionon për shkak të mekanizmit. Ne nuk kemi avionë që të shuajmë zjarret. I kanë shtete anëtare. Solidariteti bën të mundur të funksionojë ky mekanizëm. Ne mbulojmë një pjesë të madhe të financimit. Sivjet në verë jemi gati për një verë të ngjeshur. Shpresojmë që edhe shtete të jenë gati duke bërë të disponueshme mjetet që kanë”, deklaroi ai.
Ai foli edhe për procesin e rindërtimit në vendin tonë.
“Unë kam dëshirë që të shohë se si kanë ecur punët. Nesër do shkoj për vizitë në ato ambiente që janë financuar nga BE për rindërtim. Do të shkoj në një kopsht në Durrës, që është rindërtuar me fondet e BE-së. 75 mln euro është dhënë nga BE për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve. 11 bashki kanë përfituar nga këto fonde. 20 mijë nxënës e mësues kanë përfituar nga këto fonde. Shkollat dhe kopshtet janë më të sigurta për ta.
Të gjitha këto gjëra me synimin që ne kemi për të rindërtuar sa më mirë. Informacioni që kam unë është se fondet janë shpenzuar mirë, jo të gjitha pasi nuk kanë përfunduar proceset. Rindërtimi, nëse do të bësh diçka më mirë, duhet të marrësh të gjitha masat. Godinat të jenë rezistente ndaj tërmeteve. Duhen lejet e caktuara. Mendoj që jemi në rrugën e duhur. Shumica e projekteve që kanë mbetur, plani është që të përmbyllet brenda këtij viti. Jo vetëm për këto godina, por edhe për monumentet kulturore. BE ka dhënë 40 mln euro”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post