Mazhoranca socialiste rrëzoi të enjten kërkesën e deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar mënyrën sesi qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike. Deputetët nismëtar ridorëzuan kërkesën duke plotësuar atë me nënshkrimet e nevojshme.
Por socialistët e rrëzuan me pretendimin se kërkesa duhet të ishte bërë nga fillimi dhe firmat duhet të ishin mbledhur sërish pas tërheqjes së deputetit Duka.
“Mblidhini të njëjtët firmëtar dhe hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale. I përmbush kriteret formale me një deputet që thotë se është tërhequr. Kërkesën bëjeni nga fillimi për të plotësuar kriterin formal” – u shpreh Balla.
Pretendimi i socialistëve u hodh poshtë nga deputeti Gazment Bardhi, i cili u shpreh se 36 deputetë kanë shprehur vullnetin e tyre për ngritjen e komisionit Hetimor dhe se tërheqja e një deputeti nuk e zhbën vullnetin e nismëtarëve të tjerë. Bardhi akuzoi mazhorancën se po nxjerr justifikime të kota, për të penguar hetimin dhe transparencën me abuzimet që qeveria po bën me pronat publike, ku kanë përfituar miq dhe familjarë të ministrave socialistë. Ai premtoi se opozita do i shkojë kësaj çështje deri në fund.
“Ta harroni se mund të bllokoni një komision hetimor të kërkuar nga opozita konfrom ligjit dhe kushtetutës. Dilni zbuluar se me atë ligj që është zbatuar, pasi miq dhe familjarë tuajt kanë përfituar pasuri publike. Doni apo nuk doni ju opozita do ta bëjë transparencën e plotë për sa i përket investimeve strategjike”- tha Bardhi.
Deputetët e opozitës pa humbur kohë nisën të rimbledhin firmat dhe këtë të hënë kanë depozituar kërkesën e 35 deputetëve për ngritjen e Komisionit Hetimor për të verifikuar zbatimin e ligjit për investimet strategjike.
Kjo çështje u kthye edhe në temë diskutimi brenda opozitës për shkak se deputeti Gazment Bardhi akuzoi Sali Berishën se ka bashkuar votat me Edi Ramën për të bllokuar ngritjen e këtij Komisioni. “Merri leje doktorit, dhe sqaro demokratët pse u bashkuat me PS-në për të bllokuar komisionin për investimet strategjike. Pse i ka nis Berisha mesazh deputetëve që të bëhen bashkë për të bllokuar komisionin” – tha Bardhi. Në fakt asnjë nga deputetët që ndjekin linjën e zotit Berisha nuk kanë firmosur për ngritjen e këtij Komisioni, me përjashtim të deputetit Bujar Leskaj që kishte firmosur edhe më parë. Madje deputetja Ina Zhupa që kishte firmosur fillimisht, por që i është bashkuar sëfundmi zotit Berisha, është tërhequr nga nisma duke mos ju bashkuar më grupit nismëtar.
Diskutime rreth kësaj post