Në një deklaratë për mediet këtë të hënë mbi hartën e re gjyqësore, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh duke thënë se shkrirja e gjykatave është një shkelje e të drejtave të njeriut.
Ai theksoi se kjo hartë i pamundëson qytetarëve të 10 qyteteve aksesin në drejtësi për shkak të shpenzimeve shtesë.
“Harta e re e gjyqësorit e Edi Ramës, është një ndëshkim i ri për qytetarët, një rrënim i të drejtës së qytetarëve për një proces të rregullt gjyqësor. Pas përgjysmimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me anë të vetingut, krijimit të një stoku dosjesh, Rama urdhëroi në një akt të papërgjegjshëm KLGJ-në e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi,” tha Berisha.
“PD dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm, pasi ky projekt ndëshkon dhjetëra e mijëra qytetarë, qindra e qindra avokatë dhe ekspertë. Mbi të gjitha ky projekt e përqendron vendimmarrjen në sistemin e drejtësisë në duart e dy-tre personave, të kryesuar nga i famshmi Sokol Sadushi,” theksoi ai.
Berisha tha se harta e re gjyqësore bie ndesh edhe me rezolutën e Parlamentit Europian.
“Harta e re e gjyqësorit vjen në kundërshtim flagrant të rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, që kërkon shprehimisht që harta e gjyqësorit të marrë në konsideratë mendimet e grupit të interesit dhe të përmirësojë cilësinë në gjykata për procesin e duhur gjyqësor. Në të vërtetë, harta e re e hedh poshtë këtë kërkesë të rezolutës së Parlamentit Europian,” tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post