Në Ohër u mbajt samiti i Ballkanit të Hapur ku u takuan presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç.
Komisioni i Rithemelimit të Berishës ka dënuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama sot në Ohër të cilat sipas zëdhënëses Floriana Garo janë shërbim i projektit serbo-rus dhe anti-shqiptar.
Sipas Garos “duke mos njohur dhe banalizuar me tallje e nënqeshje, gjenocidin dhe masakrat ndaj qindra e mijëra boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e vëllezërve tanë në Kosovë, viktima të spastrimit etnik serb, Edi Rama dëshmon një mungesë respekti jashtë çdo imagjinate ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit”.
“Edi Rama, me këto deklarata imorale i bashkohet dyshes Vuçiç-Dodik dhe bëhet pjesë me dashje, të asaj çka është një tentative rishkruarje të historisë me qëllimin e vetëm për të lehtësuar pozicionin e Serbisë në kontekstin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur. Refuzimi i dyfishtë i Edi Ramës për të votuar në Parlamentin Shqiptar dy rezoluta që dënojnë gjenocidin në Bosnje dhe atë në Kosovë, është prova e dy-fishtë se Edi Rama po i shërben në mënyrë të verbër një projekti serbo-rus, anti-shqiptar. Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov sipas së cilës, “Ballkani i Hapur” është një projekt që gëzon mbështetjen e plotë të Rusisë, duhet të jetë një kambanë alarmi për çdo shqiptar dhe Ballkanas mbi rreziqet dhe agjendën e vërtetë të kësaj nisme. I njëjti rrezik vjen dhe nga pjesëmarrja e pajustifikuar dhe rolin e errët në këtë Samit të djalit të George Soros. Askush nuk e di se me cilin status është prezent në të njëjtën tavolinë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë”, u shpreh Garo.
Sipas zëdhënëses së Berishës Partia Demokratike refuzon në mënyrë kategorike çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Nismën e Berlinit dhe integrimin Europian me projekte që rivendosin hegjemoninë ruso-serbe në Ballkan.
“Partia Demokratike e Shqipërisë rikujton gjithashtu se pavarësia e Kosovës dhe fuqizimi i saj si shteti i pavarur vjen mbi çdo agjendë bashkëpunimi rajonal. Çdo vendim-marrje e Edi Ramës që cenon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s, është një vendimmarrje anti-shqiptare. Në këtë drejtim, vijimi normal i procesit të Berlinit dhe të integrimit Europian për çdo vend të Ballkanit konsiderohet si e vetmja rrugë drejt një të ardhme të paqtë në Ballkan”, përfundoi ajo.
Diskutime rreth kësaj post