Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti, ka folur mbrëmjen e sotme në një emision televiziv lidhur me krizën ekonomike që po kalojnë bizneset dhe qytetarët shqiptarë.
Koti tha se gjatë tryezës së organizuar ditën e sotme, përfaqësues të biznesit kishin kërkuar organizimin e protestave për vështirësitë që po hasnin.
“Sot ishim në një tryezë me përfaqësues të biznesit duke dëgjuar problemet e tyre dhe u premtuam gatishmërinë tonë sa i përket aksionit politik. Përfaqësuesit e biznesit kanë kërkuar që të ketë protesta, kanë kërkuar mbështetjen tonë”– tha Koti.
E pyetur mbi mundësinë e organizimit të protestave, deputetja e PD deklaroi se me përfundimin e riformatimit të brendshëm, do të kishte organizime me të gjitha degët e partisë, për protesta masive jo vetëm në Tiranë por në të gjitha qytetet e vendit.
“Ne jemi të gatshëm sepse edhe pa u rithemeluar partia, Berisha ka thirrur protesta. Qytetarët kanë thirru protesta për rritjen e çmimit të naftës të cilat edhe ne i mbështetëm sepse ishte një kauzë e drejtë. Tashmë që përfundoi riformatimi i brendshëm me të gjithë degët e PD-së në gjithë Shqipërinë, ndoshta mund të ketë protesta masive në Tiranë por jo vetëm, edhe nëpër qarqe të ndryshme të vendit. Unë kam besim të plotë se Berisha dhe ekipi i ri i partisë, ka marrë një përgjegjësi që ndoshta është përtej PD-së tashmë”– u shpreh deputetja demokrate ndër të tjera.
Diskutime rreth kësaj post