Nga: Roland Qafoku
Firma live nga Stambolli e presidentit në detyrë Ilir Meta për dekretimin e lirimit nga detyra si shef shtabi të ushtrisë të Bajram Begajt dhe hapja e rrugës për zgjedhjen e tij si pasues në presidencë zhvendosi vëmendjen për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ajo që jo pak gazetarë dhe analistë prisnin të ishte pengesa e fundit e Metës ndaj mazhorancës socialiste, në fakt u bë aq e lehtë saqë habiti të gjithë. I ulur në një karrige, duke patur përpara një tavolinë të thjeshtë në një zyrë të thjeshtë në konsullatën tonë në qytetin më të madh turk dhe me një stilolaps të zakonshëm Meta hodhi në firmë të jashtëzakonshme ku shkruhej: Bajram Bega lirohet nga detyra e shefit të Shtabit të Ushtrisë. Kjo i hapte rrugën që ai të votohej lehtësisht në parlament si presidenti i 11-të i Republikës që njëkohësisht është edhe pasardhës i Ilir Metës.
Deri në këtë moment nëpërmjet Taulant Ballës socialistët i kishin bërë thirrje Metës që ti hapte rrugë dekretimit për dorëheqjen e tij. Por Berisha priste tjetër veprim nga presidenti në detyrë. Në një status në facebook ai e quante antikushtues jo vetëm kohën por edhe procedurat që po kryeheshin për zgjedhjen e Begajt në krye të shtetit. E megjithatë, Ilir Meta firmosi pa hezitim nga Stambolli duke dërguar në Tiranë jo vetëm videon por edhe audion nëpërmjet të cilës dëgjohej zhurma e stilolapsit. Por habia nuk kaloi me kaq. Kryetari i sapozgjedhur i PD-së, Sali Berisha, foli hapur kundër këtij dekretimi duke hedhur shumë pikëpyetje për marrëdhëniet e tij me Metën. Tha Berisha:
“Presidenti humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kur je jashtë vendit kryetar i shteti është kryetari i Parlamentit. Ky është rregulli i Evropës. Nuk e imagjinonim që mund të kishte një shkelje të tillë kushtetuese. Jemi në kushtet e shkeljes flagrante të Kushtetutës. Ndaj kërkova ta bëj këtë deklaratë në Kuvend, por zonja Linda që e ka si me cçelës parlamentin, nuk ma dha fjalën. Nuk ka sallë asambleje në botë, përfshirë ajo e OKB, që kur kërkon fjalën për çështje procedure, nuk të jepet fjala, kjo ndodh vetëm në Parlamentin shqiptar, që zonja Lindita e përdor si dyqanin e vet”.
Më shumë se një kundërshti ndaj socialistëve kjo tregoi se në rastin më të mirë mes Ilir Metës dhe Sali Berishës ka një hatërmbetje vetëm për një çështje të veçuar dhe në rastin më të keq ndarje mes tyre. Edhe zëdhënësi i presidenti, Tedi Blushi, në një reagim gjatë ditës së djeshme, më shumë sqaroi Berishën se sa mediat e interesuara, se dekreti ishte përgatitur në Tiranë dhe ishte firmosur në Stamboll.Ishte ironike kur një nga sulmuesit më të zellshëm ndaj Metës të paktën në dy vitet e fundit Taulant Balla e mori në mbrojtje për atë që tha Berisha ndaj tij. Tha Balla:
“Për mediat se fantazmat gjithmonë kanë një problem me gjeografinë. Është njësoj siç tha se deti ynë është i Greqisë. Apo siç kërkon ta bëjë gjykatën e Parisit amerikane, duke qenë se nuk shkon dot në SHBA”.
Të gjitha këto u bënë nul në fakt më votimin në parlament. Nga 83 vota që morën pjesë 78 vota ishin pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Dhe ironia shkoi edhe më tej kur pa kaluar 1 orë nga shpallja e këtij rezultati presidenti Ilir Meta uroi zyrtarisht dhe publikisht në faqen e tij në facebook: Urime Presidentit të zgjedhur sot nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Bajram Begaj!
Por çfarë ka ndodhur? A kemi një afrim të Metës me Ramën dhe një krisje mes Metës dhe Berishës? A shërbeu zgjedhja e Bajram Begajt si president që Meta të ndryshojë kursin dhe sjelljen ndaj Berishës dhe Ramës? Është ende herët për të konkluduar për një ndarje të hapur mes Berishës dhe Metës. Do të duhet ende kohë për ta kuptuar më qartë këtë sidomos pas 24 korrikut kur Meta të kthehet në LSI. Por si dy luftëtarë ndaj kësaj mazhorance që kanë bashkëpunuar sa e sa herë kundër Ramës, pritej që edhe me zgjedhjen e presidenti Meta ta bllokonte me mungesë dekretime apo zhdekretime por që në fakt nuk ndodhi kështu.
Pikërisht zgjedhja e presidentit mund të ishte një rast i artë kur bashkëpunimi mes tyre mund të vinte në vështirësi mazhorancën. Por Meta zgjodhi rrugën e zhbllokimit. Në fakt ka edhe një arsye përtej aleancave dhe luftës politike. Ilir Meta ka qenë një mbështetës i karrierës së Bajram Begajt. Ishte Ilir Meta kur më 29 korrik 2020 si president dekretoi Bajram Begajn si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndërkohë, më 3 korrik, pra vetëm 26 ditë para këtij dekreti, po presidenti Ilir Meta e kishte graduar Bajram Begajn me gradën Gjeneral Major.
Ai mbante deri në atë moment detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Pra në një farë mënyre mes presieentit Meta dhe pasardhësit të tij në presidencë Bajram Begaj ka patur një marrëdhënie edhe personale ndonëse në raportin zyrtar. Dhe ata që kanë punuar me të dy e theksojnë se Meta ka patur dhe ruan vlerësim për Begajn. I njohur për besnikëri në raportet njerëzore, Meta nuk zhgënjeu edhe këtë herë duke hedhur firmën madje që nga Stambolli.
KRISJA META-BERISHA
Por a do të kemi një krisjet reale të marrëdhëeieve mes Metës dhe Berishës? Kësaj duhet ti shtojmë faktin që ndërsa grupi parlamentar i PD nuk mori pjesë në seancë, katër deputetët e LSI ishin prezent. Ndonëse ata votuan kundër, fakti që nuk bojkotuan tregoi hapur mosakordimin me grupin e PD-së të drejtuar nga Berisha. Megjithatë, ndryshe është të jesh anëtar i LSI-së dhe ndryshe është të jesh në krye të shtetit. Presidenti Meta e ka treguar edhe herë të tjera që vepron në këtë mënyrë. Por a do ta kalojë Sali Berisha këtë vetëm me një deklaratë? Në vartësi të asaj që do veprojë në ditët në vijim do kuptojmë edhe më qartë që është vërtetë një çarje mes tyre apo një rast i veçuar që Meta nuk mund të bënte ngërçin e fundit para se të linte presidencën. Kjo do kuptohet edhe nëse Berisha do bëjë hapa të tjerë, pra të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese një padi për shkelje të Kushtetutës. Atëherë kjo do ishte zyrtarizim i një përplasje të madhe mes të dyve.
ERA E NGROHTË META-SHBA
Ndërsa në horizotn duket një krisje mes Metës dhe Berishës po në horizont duket se ka një pushim të luftës mes Metës dhe ambsadores amerikane Yuri Kim. Në pak ditë kanë ndodhur disa ngjarje politike që disa muaj më parë as që imagjinoheshin. Kështu, më 25 maj, në një konferencë për trafikimin e qënive njerëzore ambasadorja Yuri Kim dhe presidenti Ilir Meta jo vetëm morën pjesë të dy në një konferencë për trafikimin e qenive e njerëzore por shtrënguan duart me njëri-tjetrin aq sa kjo u bë lajm i parë për të gjitha mediat. Xhesti i shtrëngimit të duarve nuk do ishte gjë nëse nuk do ti shtonim deklaratën e Metës sipas të cilës mes tyre nuk kishte asnjë problem. Por afrimi mes tyre nuk u mbyll me kaq. Më 3 qershor Meta dekretoi anëtarin e 13-të të Gjykatës Kushtetuese Sokol Ngresin dhe kjo mori menjëher mbështetjen e ambasadores Yuri Kim duke e përshëndetur zgjedhjen dhe dekretin e presidentit Meta.
Ndërkohë dje më 4 qershor ambasadorja Yuri Kim bëri një veprim noterizues teksa përshëndeti zyrtarisht zgjedhjen e Bajram Begajt si president duke mëbshtetur në një farë mënyre edhe dekretin e Metës të firmosur nga Stambolli. A kemi një afrim të ambasadores Kim me presidentin Meta dhe një largim të zotit Meta nga aleanca me Berishën? Sot është shumë e vështirë që përgjigja e kësaj pyetje të jetë e saktë. Më 24 korrik Meta kthehet në LSI. Ky është momenti që duhet të kuptojmë jo vetëm pozicionin e tij opozitar, por edhe nëse ka vërtetë krisje me Sali Berishën apo jo. Mbetet edhe pak më shumë se 1 muaj.
VOTAT QË KANË MARRË PRESIDENTËT E ZGJEDHUR NË PARLAMENT NGA VITI 1991
RAMIZ ALIA, presidenti i 4-ët i Republikë u zgjodh më 30 prill 1991. Në votim morën pjesë 241 deputetë nga 250 që kishte parlamenti. Alia mori 172 vota pro, 2 vota ishin për kandidatin Namik Dokle, ndërsa 71 vota ishin të pavlefshme.
SALI BERISHA, presidenti i 5-të i Republikës u zgjodh dy herë. Herën e parë më 9 prill 1992 nga mazhoranca e PD. Berisha mori 96 vota pro, 35 kundër dhe 1 votë e pavlefshme në një votim që morën pjesë 132 deputetë. Herën e dytë u zgjodh më 3 mars 1997 me 113 vota pro, 1 kundër, 4 abstenime. Më 20 korrik 1997 presidenti Sali Berisha dha dorëheqjen.
REXHEP MEDIANI, presidenti i 6-të i Republikës u zgjodh më 24 korrik 1997 nga mazhoranca absolute e Partisë Socialiste. Ai mori 110 vota pro, 3 kundër, 7 të pavlefshme, 2 abstenime.
ALFRED MOISIU, presidenti i 7-të i Republikës u zgjodh më 25 qershor 2002. Ai mori 97 vota, 20 vota ishin kundër, 13 deputetë abstenuan, 4 fletëvotime ishin të pavlefshme.
BAMIR TOPI, presidenti i 8-të i Republikës u zgjodh më 20 korrik 2007 në raundin e katërt nga mazhoranca e PD. Ai mori 85 vota nga 90 deputetë që ishin në sallë, kundrejt Neritan Cekës që mori 5 vota. Mes 85 votave ishin edhe votat e 7 deputetëve të PS-së gjë që solli dorëheqjen e kryetarit të grupit Ben Blushi.
BUJAR NISHANI, presidenti i 9-të u zgjodh më 11 qershor 2012 në raundin e katërt nga mazhoranca e PD. Ai mori 73 vota, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë.
ILIR META, presidenti i 10-të I Republikës, u zgjodh më 28 prill 2017 në raundin e katërt nga mazhoranca socialiste në koalicon me LSI. Meta mori 87 vota pro, 2 kundër, ndërkohë që 54 deputetët e opozitës së PD nuk morën pjesë.
BAJRAM BEGAJ, presidenti i 11-të i Republikës u zgjodh më 4 qershor 2022 në raundin e katërt nga mazhoranca socialiste. Begaj mori 78 vota pro, 4 vota kundëer dhe 1 abstenim nga 83 deputetë që ishin pjesmarrës në votim.
Diskutime rreth kësaj post