Tema aktuale e mediave dhe figurave politike mbetet prej javësh zgjedhja e presidentit të ri. Pas dështimeve nga seancat opozitare tashmë rradha është e Partisë Socialiste të propozojë.
Mbrëmja e të shtunës 4 qershor 2022 pritet ta gjej Shqipërinë me një president të ri të zgjedhur vetëm me votat e PS.
Shumicës socialiste do ti duhet që deri në orën 12 të po të njëjtës ditë të depozitojë kandidatin apo kandidaten bashkë me 20 firma propozuese.
Më pas do të jetë komisioni ligjeve që do ti dërgoj kuvendin raportin përkatës për ti hapur rrugë votimit në seancën e posaçme parlamentare, nga ku zgjidhet presidenti me vetëm 71 vota pas ezaurimit pa kandidat të tre raundeve të para.
Fatmir Mediu për pamundësinë e zgjedhjes të një presidenti konsensual me 84 vota nuk hezitoi të tregojë fajtorin.
Fatmir Mediu: Ju lumtë zgjidheni vetë për aq kohë siç edhe thotë profesor Artan Fuga e gjetët opozitën kashtë e koqe.
Konferenca e kryetarëve është dominuar nga një debat i fortë mes nënkryetares së kuvendit Ermonela Felaj dhe kreut të grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, i cili nuk donte të diskutohej në fillim data për raundin e katërt por kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për investimet strategjike.
Në një kohë kur Enkelejd Alibeaj dhe dy grupet e tjera parlamentare të opozitës dështuan të sillnin një kandidat për tre raundet e para , u shfaq aspak i interesuar për këtë raund të katërt.
Vlen për tu parë nëse Alibeaj dhe deputetët e tij mbështetës do të jenë në sallë në 4 Qershor apo do të bojkotojnë siç bënë të Hënën në raundin e tretë.
Për qëndrimet e Alibeajt homologu i tij socialist Taulant Balla pari këtë shpjegim.
Taulant Balla: Opozita në normalitetin e politikës së vet mund ta ketë strategji dështimin e zgjedhjes së presidentit. Pse? Sepse dështimi zgjedhjes të presidentit e çon vendin në zgjedhje të parakohshme. Kështu thotë kushtetuta. Ua kam thënë që ditën e parë. Nëse ju keni këtë strategji është strategjia e juaj. Shumë mirë. Ndoshta unë po të isha në vendin tuaj mund ta kisha këtë strategji.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj pati një kërkesë të sinqertë për socialistët.
Agron Gjekmarkaj: Mos lejoni në krye të shtetit të mos jetë një askush. Gjeni një personalitet nga PS, merrni vetë përgjegjësinë përpara shqiptarëve.
Një ditë përpara raundit të katërt të premten pasdite PS do të mbledhë kryesinë nga ku do të diskutohen kandidaturat.
Burime nga PS i thanë Top Channel se deri më tani preferohet që kandidati të vijë nga fusha e drejtësisë pas specifikuar emra konkret.
Mbledhja kryesisë të PS do të jetë momenti kur Edi Rama mund të surprizojë me emrin e kandidatit deri në kufijtë e një provokimi, ndaj Sali Berishës bashkë me presidentin ne ikje Ilir Meta.
Si Berisha ashtu edhe Meta pas 25 Korrikut do të jenë bashkë në llogoren opozitare, e një ditë mbase do tu duhet të përballen me kreun e shtetit.
Diskutime rreth kësaj post