Kancelari gjerman, Olaf Scholz njoftoi se përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian nuk mund të përshpejtohen pavarësisht pushtimit rus.
Duke iu drejtuar Bundestagut, parlamentit të Gjermanisë, përpara një takimi të liderëve të BE-së, ai tha se nuk ka “asnjë rrugë të shkurtër” për t’u bashkuar me bllokun dhe argumentoi se një përjashtim për Ukrainën do të ishte i padrejtë për vendet e Ballkanit që po kërkojnë gjithashtu anëtarësim.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi më parë se mund të duhen “dekada” që Ukraina të bëhet një vend anëtar, një vlerësim me të cilin u pajtua lideri gjerman.
Në prill, Scholz bëri thirrje që aplikimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të përshpejtohen. Në deklaratën e tij të enjten, ai tha: “Për vite me radhë ata kanë ndërmarrë reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim.”
“Zbatimi i premtimeve ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot, më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike.”-tha ai.
Diskutime rreth kësaj post