Fatbardh Kadilli shprehet se kriza që ka përfshirë PD-në, mund të zgjidhet vetëm me largimin e kreut Lulzim Basha dhe liderit historik Sali Berisha.
Në një bisedë në emisionin “Radari Informativ”, ish-kandidati për kryetar të PD, u shpreh se si Basha ashtu edhe Berisha po i gënjejnë nga pak ndjekësit e tyre ndërsa theksoi se nëse vijohet kështu ndarja e partisë është e pashmangshme.
Çfarëdo që të dalë nga ndarja e partisë, sipas Kadillit, nuk do të jetë më PD. Kjo që po ndodh aktualisht me të djathtën, shton Kadilli, është dhurata më e mirë e fundvitit për kryeministrin Edi Rama.
“Ata (Basha dhe Berisha) janë të ndërgjegjshëm që po e ndajnë PD,” tha Kadilli.
Ish-kandidati për kryetar të PD ka marrë pjesë në të dy Kuvendet e thirrura në parti, në atë të datës 11 dhjetor me Sali Berishën dhe atë të datës 18 dhjetor me Lulzim Bashën dhe mes tyre, sipas tij, ka dallueshmëri të qartë.
“Kanë pasur dallueshmëri të qartë, ajo që shoh me shqetësim është se në njërin krah ka pasion, në krahun tjetër ka kalkulim. Në të dyja rastet dështimi, fati i keq nuk vjen nga kalkulusit pranë Bashës apo ata me pasion pas Berishës, dështimi vjen nga këta të dy.”-tha ai.
Kadilli u bëri thirrje demokratëve që të shikojnë një mundësi të tretë që “do ta bëjë partinë më të madhe se kryetari.”
“Një ekip i pastër dhe i ri mund të largojë Edi Ramën.”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post