Policia ka arrestuar një numër të madh personash që punonin në “Call Center” gjatë javëve të fundit, pas ankesave nga disa vende të Bashkimit Europian që qytetarët e tyre mashtroheshin nga kompani që ushtronin aktivitet në Shqipëri përmes skemave të ndryshme.
Krahas Shkodrës në fund të nëntorit, së fundmi policia arrestoi 28 persona në Tiranë si edhe një izraelit të quajtur Rafael Genish, pasi akuzohet se ka organizuar skemën e mashtrimit të qytetarëve të vendeve të BE-së duke i telefonuar nga Shqipëria.
Shuma totale e mashtrimit nuk është zbuluar ende, megjithatë besohet se bëhet fjalë për miliona euro të zhvatura nga qytetarët e BE-së përmes formave të tilla.
Skema:
Abcnews.al ka zbardhur skemën se si mashtroheshin qytetarët nga Gjermania, Spanja apo edhe Italia nga operatorët e “Call Centerave” në Shqipëri, të cilët iu premtonin atyre se do t’i bënin milionerë nëse investonin sipas këshillave të tyre.
Skema funksiononte në dy forma për të gjeneruar “pretë” e tyre, ku forma e parë ishte përmes databazave me numra telefoni, të cilat siguroheshin nga pronarët e “Call Centerave” në forma të ndryshme përmes blerjes edhe në atë që quhet “darkëeb”.
Forma tjetër ishte reklama online përmes të cilës shtetas të ndryshëm regjistroheshin aty duke besuar se kishin të bënin me një kompani serioze që do t’i udhëzonte për të investuar.
Pasi telefonoheshin nga operatorët nga “Call Centerave” në Shqipëri, “viktimat” fillimisht josheshin me premtime se do të fitonin shumë nëse investonin në “Forex” apo “Kriptomonedha”.
Pasi fitonin besimin dhe mundësonin vjeljen e shumave të vogla nga klientët, operatorët i regjistronin ata në një platforme të gënjeshtërt të “Forexit” apo “Kriptomonedhave”, të cilat nuk ishin të lidhura me sistemet ndërkombëtare që shërbejnë për këtë gjë.
Ndërkohë që klientët shihnin të dhëna të rrejshme në platformë, operatorët e “Call Centerave” i telefonin ata duke i bërë presion që të investonin më shumë pasi do të kishin fitime edhe më të mëdha.
Kjo gjë vazhdonte për disa muaj dhe pasi klientët kërkonin rikthimin e parave duke kuptuar se ishin mashtruar, operatorët e “Call Centerave” shkëpusnin çdo kontakt me ta.
Diskutime rreth kësaj post