Komisioni për Rithemelimin e PD, ka publikuar rezultatin përfundimtar për referendumin e bërë ditën e djeshme, për miratimin e shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Në një njoftim zyrtar, Komisioni për Rithemelimin e PD ka bërë me dije se “sot, në ora 11.00, u mblodh Komisioni i Organizimit dhe Operacioneve Elektorale për verifikimin e materialeve zgjedhore dhe miratimin e rezultatit përfundimtar të votimit në Referendumin për ratifikimin e vendimit Nr. 6 të Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Bashës”.
Sipas të dhënave përfundimtare, pjesëmarrja e përgjithshme në referendum ishte 43 879 anëtarë, nga të cilët 43 385 kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës.
Kundër shkarkimit të kreut të PD kanë votuar 306 anëtarë, kanë abstenuar 17 prej tyre, ndërsa vota të pavlefshme kanë qenë vetëm 171.
Kujtojmë se referendumi për miratimin e kreut të PD, u zhvillua ditën e djeshme, ku votimi u krye në 106 qendra votimi në të gjithë vendin.
Referendumi i demokratëve, u zhvillua pasi në Kuvendin e 11 dhjetorit 4 446 delegatë votuan për shkarkimin e Bashës.
Por ky i fundit deklaroi dje se; PD ka zhvilluar vetëm një kuvend dhe ai ishte ai i 18 dhjetorit dhe se demokratët nuk kanë mbajtur asnjë referendum.
Diskutime rreth kësaj post