Analisti Arjan Curri, ka komentuar zhvillimet e ditës së sotme në Partinë Demokratike ku sipas
Currit, Basha është në hall të madh dhe po bën një kongres që ka dyshim për legjitimitetin e tij.
Duke qenë se salla nuk mban më shumë se 2200 persona, Curri tha se ka dyshime për numrin e personave të deklaruar si pjesëmarrës në këtë Kuvend.
Analisti deklaroi se Basha e përdori Berishën, për t’u rikonfirmuar në PD dhe më pas e largoi.
Pyetje: Retorika e Bashës ishte euforike, ai u shpreh se askush nuk do ta prekë ëndrrën tuaj. Si e shihni këtë?
Curri: “Basha është në hall të madh, po bën një kongres që ka dyshim për legjitimitetin e tij. Tani nuk jemi më të kthjellët lidhur me numrin dhe nëse pjesëmarrësit janë delegatë apo jo dhe nuk di pse janë aty. E dyta është se ajo sallë, më shumë se 2.200 veta nuk i mban dhe do të duhet të tregojnë nëse e ka kuorumin apo jo. Çfarë është ky diskur i tij? Ai po tenton të ngjallë një lloj optimizmi sepse Berisha gati gjysmën ia ka shkulur”.
Pyetje: Do të shpëtoj Shqipërinë tha sot, nga kush do ta shpëtojë?
Curri: “Po ku di unë, nga trekëndëshi i Bermudës, nga Berisha sot, më vonë nga Rama dhe nga Meta. Para disa ditësh Basha tha se e dinte që Berisha ishte non grata, por nuk u tha se ishin zgjedhjet para. Basha e përdori Berishën dhe pastaj e hoqi. Këtë gjë e bën dhe Rama, i përdor, i urdhëron të firmosin dhe kur arrestohen thotë përgjegjësia është e tyre. Nëse këtë bën dhe Basha trekëndëshi është bërë katërkëndësh dhe këto personazhe janë njëlloj. Shqiptarët të zgjedhin nëse duan regjimin e Ramës, Bashës, Berishës apo Metës”.
Pyetje: Si e lexoni distancimin e elementëve të jashtëm?
Curri: “Do doja të dija nëse kishte prani të ambasadorëve aty se sa partive simotra europiane. Nëse këto parti simotra apo përfaqësues vazhdojnë të përfshihen apo kanë lënë vetëm kongresin e dytë siç lanë të parin. Meqë nuk ka parti simotra atëherë kjo tregon se nuk duan të përfshihen. Ato kanë më shumë finesë për të mos i fusin hundët dhe nëse i fusin janë të padukshëm, kurse perandoritë nuk kanë takt. Ne duam të dimë ka apo kuorum ky kongres, a ka listë të publikuar. Duke marrë Berisha një pjesë të delegatëve. Duhet të dimë nëse ka delegatë që kanë qenë te Berisha që janë edhe te Basha sot”.
Pyetje: Sot është dhe referendumi i Berishës. Si e keni parë fjalën e Berishës sot?
Curri: “Berisha paralajmëron tensione përmes fjalës së tij, interesante është të presim se sa demokratë kanë votuar, a janë demokratë apo nuk janë demokratë. Tymi është nga të gjitha anët dhe ne duhet të jemi dyshues për ta parë nga të gjitha anët këtë telenovelë. Berisha do shkojë të marrë në dorëzim shtëpinë duke pasur çelësat që sipas tij ia kanë dhënë demokratët”.
Pyetje: Çfarë duhet të presim pas këtij kuvendi?
Curri: “Asgjë, duhet të presim përfundimin e serisë 735. PD na ka zbuluar natyrën njerëzore që është e lidhur ngushtë me egoizmin. Kjo nuk do të ndalet derisa një nga palët në mënyrë gjyqësore të përfundojë ose do vazhdojë deri në zgjedhjet lokale ku do të shohim dëmin e madh të PD. E gjithë kjo ndodhi nga një non grata dhe ne nuk e dimë nëse erdhi për të demokracinë apo për të mbajtur në pushtet këtë maxhorancë që është më pro amerikane. Gjithsesi ne jemi në pritje për ti ndihmuar njerëzit të shohin pas perdes. Politika e vërtetë luhet në prapaskenë dhe jo në stadiume apo kongrese. Kjo situatë do vazhdojë gjatë”.
Diskutime rreth kësaj post