A është një ide e mirë që Joe Biden të kandidojë për një mandat të dytë si president në zgjedhjet e vitit 2024? Dhe nëse ai kandidon sërish dhe fiton, a do të ishte mirë që Shtetet e Bashkuara të kishin një president 86 vjeçar, moshë në të cilën Biden do të ishte në fundin e një mandati të dytë?
I shtrova troç këto pyetje, pasi ato duhet të diskutohen sinqerisht, dhe jo thjesht të pëshpëriten vazhdimisht. Në vitet 1980, gazetarët me reputacion kishin të drejtë kur pyesnin nëse mos Ronald Reagan ishte shumë i moshuar për të qenë president, në një kohë kur ai ishte në fakt disa vite më i ri sesa është sot Biden.
Vështirësia e dukshme e Donald Trump për të mbajtur qoftë edhe një gotë, dhe fjalori i tij i kaotik, nxitën në mënyrë të përsëritur spekulime jo shumë të këndshme mbi shëndetin e tij, mendor dhe fizik. Dhe gafat që burojnë nga kujtesa e dobët e Joe Biden, ishin një burim gëzimi në mesin e rivalëve të tij demokratë, të paktën derisa ai fitoi nominimin si kandidat zyrtar i partisë.
Megjithatë, tani etiketohet si një sjellje e keqe ngritja e shqetësimit mbi moshën dhe shëndetin e Joe Biden. Thuhet se nëse e bën këtë, krijon avantazhe për ish-presidentin Donald Trump, që pretendon të garojë sërish pas 3 vitesh.
A thua se mirëqenia fizike dhe mendore e presidentit të vendit, nuk është punë e askujt tjetër, por vetëm e tij. Duket sikur nuk ka shumë rëndësi nëse ai ka apo jo fuqi për të ushtruar detyrën më të rëndësishme në botë, për sa kohë që ndihmësit e tij mund t’i mbushin me mjeshtëri boshllëqet që lë ai.
Po ashtu duket se akuzat për paragjykime moshore, dhe zhurma mbytëse e elitave mediatike, mund ta mbajnë këtë çështje jashtë vëmendjes së publikut. Në fakt nuk do të ndodhë kështu. Pasi në disa prej daljeve të tij publike, Biden duket shumë konfuz.
Ai është shpesh bindës, por ndonjëherë shfaqet në mënyrë alarmante jo koherent në ato të thotë. Cila është arsyeja? Unë nuk kam idenë. Por pyes:A frymëzojnë paraqitjet e tij (përfshirë ato më të mirat) një besim të fortë se presidenti mund të shkojë përtej mandatit të tij aktual, për të mos përmendur të ardhmen?
Jo, dhe këtë gjë duket se e dinë shumë njerëz. Të dielën e shkuar, kolegët e mi Jonathan Martin dhe Alexander Burns, raportuan mbi zërat jo aq të qeta që po qarkullojnë në gjirin e Partisë Demokratike, mbi atë se çfarë të bëhet në rast se Biden vendos të mos kandidojë për një mandat të dytë.
Kandidatët pretendentë, shfaqen në atë raportim si peshkaqenë që rrethojnë një varkë të vogël, duke notuar me ngadalë. Por kjo qasje nuk është e shëndetshme. As për vetë presidentin, as për postin që ai mban, as për Partinë Demokratike, dhe as për vetë vendin.
Në vitin 2019, shtabi i fushatës së Joe Biden – duke e ditur moshën e kandidatit – ia shiti votuesve demokratë në garën e brendshme si një “figurë tranzitore”, si një “djalosh”, synimi kryesor i të cilit ishte të rrëzonte nga froni Donald Trump, dhe më pas t’ia hapte rrugën një fytyrë më të freskët nga radhët e Partisë Demokratike.
Biden nuk e ka bërë kurrë të qartë atë premtim. Por edhe pritshmëria ndaj po tij i ka lënë vendin zhgënjimit. Gjërat mund të ishin ndryshe nëse presidenca Biden do të kishte një fillim të shkëlqyer. Në fakt kjo nuk po ndodh.
Shumëkush mund të fajësojë për këtë Joe Manchin ose Mitch Mcconnell, apo lëvizjen kundër vaksinave, por fakti është se të dhënat e sondazheve mbi punën e Biden si president kanë qenë shumë të ulëta që nga muaji gusht. Njeriu që i jepte dikur shpresë partisë së tij, i rëndon tashmë fatit të partisë së tij si një palë këpucë prej hekuri.
Po ashtu gjërat mund të ishin ndryshe në rast se administrata do të bënte së shpejti kthesën. Kjo është shpresa e administratës aktuale për projektin e madh “Build Back Better”. Por as miratimi muajin e kaluar i këtij projektligji, nuk ndikoi në rritjen e popullaritetit të Joe Biden Dhe kjo është e çuditshme, pasi ai projektligj ishte vërtet shumë popullor.
“Build Back Better”, duket tani si një tjetër projekt i kushtueshëm i të majtës, në një periudhë të rritjes së çmimeve, vrasjeve në rritje, shtimit të sëmundjeve, degradimin urban, një krize emigrantësh në kufi me Meksikën, një krize të zinxhirit të furnizimit, kërcënimit nga Irani se është pranë ndërtimit të bombës së tij bërthamore, dhe kërcënimi se Rusia që mund të kalojë nga momenti në moment kufirin ukrainas.
Pastaj është edhe çështja e zëvendëspresidentes Kamala Harris. Mbështetësit e saj mund të mos jenë dakord me kritikat, por për një numër gjithnjë e në rritje amerikanësh, po shohin se pasuesja e dukshme Biden në këtë detyrë, po punon shumë më dobët nga sa pritej.
Shifrat mbi të në sondazhe në këtë pikë të mandatit të saj, janë më të dobëta në krahasim me atë të çdo zëvendëspresidenti në historinë e dekadave të fundit, përfshirë atë të Mike Pence, zëvendësit të Donald Trump. Nëse ajo do të përfundojë duke qenë kandidatja e preferuar e partisë së saj në rastin se Biden vendos të tërhiqet nga ri-kandidimi, demokratët do të kenë çdo arsye për të qenë në panik.
Atëherë, çfarë duhet të bëjë presidenti aktual i SHBA-së? Ai duhet të njoftojë, sa më shpejt që të jetë e mundur, se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë në këtë detyrë. Argumenti kundër ri-kandidimit të tij, është se mandati i dytë do ta shndërronte atë menjëherë në një “rosë të çalë”, dhe kjo është padyshim e vërtetë.
Por tani për tani Biden është më keq se një “rosë e çalë”, pasi pasardhësve të mundshëm në Partinë Demokratë nuk u lejohen të bëjnë kritika në publik, të gjejnë korsinë e tyre, dhe të tërheqin vëmendjen e publikut.
Kjo vlen veçanërisht për njerëzit në administratën aktuale, që duhet të jenë pretendentë të fuqishëm:Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo, Sekretari i Transportit Pete Buttigieg dhe ‘Cari’ i infrastrukturës Mitch Landrieu. Po çfarë do të thotë kjo për pjesën tjetër të presidencës Biden?
Kjo gjë nuk do ta dobësonte atë, por do ta lejonte menjëherë të ishte një burrë shteti. Do të ishte shumë çliruese, pasi do t’i jepte fund spekulimeve të pafundme mediatike. Do të injektonte entuziazëm dhe interes tek Partia Demokratike. Kjo gjë do t’i jepte asaj mundësinë t’i përkushtohej tërësisht zgjidhjes së problemeve të menjëhershme të vendit, pa u shqetësuar për rizgjedhjen në detyrë të Biden.
Kjo nuk ka pse ta zvogëlojë shumë peshën e presidencës së tij. George H.W.Bush arriti më shumë në 4 vjet sesa pasardhësi i tij në 8 vite. Madhështia është shpesh më e lehtë për t’u arritur, kur politikat e mira nuk janë të mbingarkuara me politikat e zgjuara. Biden duhet të mendojë për këtë, dhe të veprojë shpejt.
Diskutime rreth kësaj post