Një periudhë zie 11-ditore ka filluar për koreano-veriorët, ku autoritetet qeveritare i ndalojnë të qeshin ose të pinë, teksa shënohet 10-vjetori e vdekjes së ish-udhëheqësit Kim Jong Il.
Autoritetet kanë porositur publikun të mos shfaqë asnjë shenjë gëzimi apo lumturie për sa kohë që vendi nderon kujtimin e tij. Kim Jong Il sundoi Korenë e Veriut nga viti 1994 deri në vdekjen e tij në 2011 dhe u pasua nga djali i tij i tretë dhe më i vogël, udhëheqësi aktual Kim Jong Un.
Tani, dhjetë vjet pas vdekjes së tij, koreano-veriorët janë të detyruar të mbajnë një periudhë zie. “Gjatë kësaj periudhe, ne nuk duhet të pimë alkool, të qeshim apo të përfshihemi në aktivitete të kohës së lirë,” tha një banor i qytetit kufitar verilindor të Sinuiji për Radio Free Asia.
I njëjti burim shtoi se qytetarët nuk lejohen të bëjnë pazar as në dyqanin ushqimor më 17 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Kim Jong Il. “Në të kaluarën, shumë qytetarë të kapur duke pirë apo të dehur gjatë zisë janë arrestuar dhe trajtuar si kriminelë ideologjikë.
Ata i morën dhe nuk i pamë më. Edhe nëse një anëtar i familjes suaj vdes gjatë periudhës së zisë, nuk ju lejohet të qani me zë të lartë dhe trupi nuk mund të varroset derisa të përfundojë. Njerëzit nuk mund të festojnë as ditëlindjet e tyre nëse ato përkojnë në këtë kohë,” tha ai.
Kim Jong Il vdiq nga një atak në zemër më 17 dhjetor 2011 në moshën 69-vjeçare, pas 17 vitesh sundimi të dhunshëm dhe shtypës në vend. Edhe pse çdo vit periudha e zisë zgjat 10 ditë, këtë vit ajo do të zgjatet me një ditë, për të nënvizuar dhjetëvjetorin e vdekjes së tij.
Diskutime rreth kësaj post