Analisti Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet më të fundit brenda Partisë Demokratike dhe synimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u rikthyer në krye të PD, ndërsa theksoi se shanset që kryedemokrati Lulzim Basha të rrëzohet janë zero, pavarësisht tentativave për të marrë me dhunë selinë blu.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, analisti Çupi theksoi se Berisha tashmë e ka mbyllur kapitullin e tij dhe po e mbajnë në këmbë vetëm disa servilë që shpresojnë se ish-kryeministri ruan ende energji për të sulmuar sërish institucionet dhe përhapur kaos në vend.
“Këta që nuk po i gjejnë një dhëmb Saliut! Këta, prapë po kërkojnë nëpër nofullat e tij të hapura; prapë nuk duket gjë nga dhëmbët e hershëm. Atëherë, në një kohë të zezë, ky të merrte në qafë. Po të ishte atëherë dhe ti të hyje në zyrat e ushqimit të ushtrisë që u quajt SHQUP, ti nuk e di çfarë të priste… Të priste një pamje horror: Ai, me dhëmbët e tij mund të hante Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, restorantin ku hanin oficerët e ushtrisë komunistë, sallën e teatrit, banjat dhe toiletet njëherësh. Ndërsa tani ka mbetur si një gërdallë; as armë, as dhëmbë. Po të ishte i vetëm, Sali Berisha nuk mund të hynte në selinë e Partisë Demokratike për të terrorizuar politikën dhe për të lëshuar mesazhe në drejtim të qytetërimit perëndimor se ‘unë nuk pyes për ju, do ta mbys demokracinë’. Por nëse servilët e tij nuk do të ishin të korruptuar dhe të inkriminuar, as që do të kishin takat të futeshin ne shpellat organike të Berishës dhe të shikonin ‘shpresë’! ‘Heeej, atje ka mbetur edhe një dhëmb!’ Mirëpo nuk ka mbetur asgjë, fatkeqësisht për ta”, shkruan ai.
Më tej analisti Çupi e ka ilustruar edhe më shembullin që koha e Berishë ka perënduar.
“Po të kishte mbetur qoftë edhe një dhëmb në gojën e Sali Berishës, këta që ka përballë as që do të guxonin të ishin përballë. Madje, as Luli që i qëndroi gjithnjë nënsqetull, nuk do të guxonte të ndodhej përballë në SHQUP. Kjo është një histori e trishtë: Dhunuesi i jetës së qytetarëve shqiptarë në demokraci, do të ndodhej vetëm para murit të superfuqive; ndryshe nuk do të binte përtokë pa dhëmbë dhe pa shpresë”, nënvizoi Çupi.
Diskutime rreth kësaj post