Nga: Adi Darsi
Synimi i rajonit tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian si një treg i vetëm nuk është një ide e re. Ajo diskutohet prej vitesh, por debatet janë ashpërsuar së tepërmi pas shpalljes së nismës “Open Balkan’s”, e cila nuk ka mundur të përfshijë më shumë se gjysmat e vendeve ballkanike të angazhuara në rrugën evropiane. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina e kanë refuzuar atë me arsyetimet përkatëse.
Por edhe në Shqipëri kundërshtimet nuk janë të pakta. Një nga argumentet kryesore që sjellin kundërshtarët e nismës është ai ekonomik. Në këtë kuptim ja vlen të shikojmë tre tregues kryesorë të cilët në një farë mënyrë tregojnë fuqinë përkatëse ekonomike për të gjashtë vendet e rajonit.
Vendi i Shqipërisë në ekonominë rajonale
Shqipëria për tre treguesit e marrë në shqyrtim që janë Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, rezerva valutore dhe rezervat në ar, të cilat përfshihen brenda rezervës valutore, në raport me treguesit rajonalë nuk zë vend më më shumë se 13, 1 për qind.
E shpjeguar më thjeshtë kjo do të thotë se ekonomia jonë është dicka më shumë se një e dhjeta e asaj të rajonit. Siç shikohet edhe në tabelë prodhimi kombëtar i Shqipërisë (GDP) për vitin 2020 ka qenë 14,8 miliard dollarë. Të gjashtë vendet e rajonit të marra së bashku kanë gjeneruar një ekonomi në vlerën 112,205 miliard dollarë, që do të thotë se vendi ynë zë vetëm 13,1 për qind të këtij prodhimi.
Treguesi i dytë është rezerva valutore. Janë paratë që shtetet ‘mbajnë mënjanë’ për një ditë të keqe. Këto para të cilat administrohen nga bankat e secilit vend, dhe që maten me muaj eksportesh, mbahen në tituj dhe valuta të ndryshme.
Dikur mënyra më klasike ka qenë mbajtja e rezervës në ar, një mënyrë e cila megjithëse ka humbur peshën e saj në totalin e rezervës valutore tw vendeve, ende vlerësohet si një tregues që tregon ‘fuqinë e shteteve’.
Gjashtë bankat e rajonit mbajnë si rezervë valutore së bashku 37,465 miliard dollarë, ndërkohë që rezerva valutore shqiptare është 4,817 miliard dollar që do të thotë 12,8 për qind e rezervës rajonale. Shumë më i ulët është treguesi i rezervës në ar.
Bankat e rajonit kanë në kasafortat e tyre 50,9 ton ar, Banka e Shqipërisë ka vetëm 2,8 ton. Që do të thotë vetëm 5,5 për qind të arit që ka rajoni.
TREGUESIT 2020
Rezerva e arit – në ton
Rezerva valutore – në miliard dollarë
GDP – në miliard dollarë
Nr Vendi Rezerva e arit
Rezerva valutore GDP
1 Shqipëria 2,8 4,817 14,800
2 Bosnjë Hercegovina 2,9 8,707 19,788
3 Kosova – 1,095 7,611
4 Mali i Zi 1,1 2,134 4,779
5 Maqedonia e Veriut 6,9 4,126 12,267
6 Serbia 37,2 16,586 52,960
GJITHSEJ RAJONI 50,9 37,465 112,205
Burimi: Banka Botërore
Krahasimi me secilin nga vendet e rajonit
Ekonomia e vendeve të rajonit është e dominuar nga Serbia. Në të gjithë drejtimet e treguesit e bëjnë të qartë se serbët kanë më shumë se gjysmën e prodhimit kombëtar të rajonit, rezervës valutore dhe rezervës në ar. Madje treguesi i fundit nxjerr se me 37,2 ton ar rezervë ky vend zotëron 74 për qind të arit në rajon. Kosova është i vetmi vend në rajonin tonë që nuk ka fare rezervë n ëar, ndërkohë që Mali i Zi, rezervën e tij të pakët në ar (vetëm 1,1 ton) e ka vënë edhe si garanci për kreditë e marra. Vendi i dytë me rezervën më të madhe të arit është Maqedonia e Veriut, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina që ka një rezervë pothuajse të barabartë me Shqipërinë.
Sa i takon prodhimit kombëtar në vitin 2020, me 19,788 miliardë dollarë, e dyta në rajon është Bosnje Hercegovina, e cila ka të njëtën renditje edhe për rezervën valutore prej 8,707 miliardë dollarë.
Por për të kuptuar peshën e ekonomisë së gjashtë vendeve tona vlen të sjellim në kujtesë dhe të krahasojmë vetëm dy tregues me Greqinë, i vetmi vend ballkanik anëtar i BE. Nëse të gjashtë vendet e rajonit mbajnë së bashku 50,9 ton ar në rezervën e tyre valutore, Greqia e vetme ka më shumë se dyfishin, plot 113.9 ton ar. Nëse të gjashtë vendet e rajonit që duanb të bëhen pjesë e BE kanë së bashku një GDP prej pak më shumë se 112,2 miliard dollarë, Greqia e vetme e kishte prodhimin e saj kombëtar në vitin 2020 as më pak e as më shumë se 189.4 miliard dollarë.
Diskutime rreth kësaj post