Deputeti Oerd Bylykbashi thotë se Lulzim Basha i merrte vendimet në PD pa pyetur Kryesinë dhe Grupin Parlamentar. Bylykbashi deklaroi se në 2017 deputetët nuk e dinin që në Bulevard, në mbyllje të protestës, do të ngrihej një çadër dhe brenda atyre plastmasëve, shtoi ai, do të atrofizohej opozita.
Vendimet Basha i merrte me një grup jashtë PD-së, tha Bylykbashi.
“Ishte një vendim krejt papritur, askush nuk e merrte vesh. Ishte një grup brenda në PD që nuk ishte grup vendimmarrje politike, nuk ishte instancë politike, ishte një grup PR diku madje as brenda partisë, diku jashtë ndoshta. Këta këshillonin kryetarin se çfarë ishte më e mirë. Dhe unë që isha deputet, anëtar i Kryesisë, kisha rol premtimet në Reformën në Drejtësi, drejtues i degës më të madhe në vend, të Durrësit, e kam parë në Bulevard që po ngrihej diçka dhe nuk e kuptoja se çfarë ishte. Pra, një vendim që na zuri papritur. Kam parë si është atropfizuar partia brenda plastmasit të asaj çadre dhe se si ngrihej kulti i Lulzim Bashës.
Dhe nga ai moment e tutje që më pas u pasua me vendimin e beftë për të ndërprerë atë çadrën sepse u bë marrëveshja. Iu dha koalicioni Ramës me marrëveshje, e vetmja gjë që donte. Mund t’i jepte edhe postin e kryeministrit për një muaj Bashës, i duhej vetëm koalicioni. E mori dhe ne humbëm zgjedhjet, u fragmentuam dhe dolëm me 460 mijë vota.
Më pas ka vijuar me një seri vendimmarrjes të tjera, djegia e mandateve, tentativa për të bllokuar zgjedhjet, që u goditën rëndë nga ndërkombëtarët, mbi të gjitha nga amerikanët, u ka dalë për zot Lulzim Basha atyre vendimeve. Janë shumë vendime strategjike të marra gabim. A vjen nga paaftësia apo diçka tjetër këtë unë këtë nuk e them, por janë vendime që kanë një konseguencë që brenda tyre kanë një element si do të projektohej gjithmonë e më shumë pavarësisht nga rezultati në zgjedhje, një figurë që dominonte dhe merrte kontrollin përfundimtar të partisë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post